Vizita e parë në Ukrainë/ Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni udhëton drejt Kievit

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka udhëtuar gjatë natës për në Kiev, në vizitën e saj të parë në Ukrainë. Siç bëjnë me dije mediat italiane “Giorgia Meloni po udhëton për në Kiev për vizitën e saj të parë në Ukrainë. Rreth orës dy, një ndalesë për kontrolle në Lviv, pasi kishte kaluar kufirin me Poloninë me një tren blu, një autokolonë speciale që u nis nga stacioni Przemysl, u nis për në kryeqytetin ukrainas”.
Kryeministrja, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj dhe nga nënsekretari i presidentit, Giovanbattista Fazzolari ditën e djeshme u takua në Varshavë me kryeministrin Morawiecki dhe presidentin Duda dhe më pas u nis për në Kiev. Kryeministrja Meloni do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, e më pas do të zhvillojë një vizitë në Bucha.
Udhëtimi i Melonit në Ukrainë, vjen pas vizitës së papritur që zhvilloi presidenti amerikan Joe Biden në Kiev, ku u takua dhe me presidentin Volodymyr Zelensky. Kujtojmë se në takimin mes dyshes Biden-Zelensky, presidenti amerikan premtoi vijimin e mbështetjes së SHBA ndaj Ukrainës.
Presidenti Joe Biden nderoi gjithashtu “guximin dhe udhëheqjen” e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh të shkruar në librin e të ftuarve në Pallatin Mariinsky, rezidenca zyrtare e Presidentit të Ukrainës.
SHBA ka qenë krah Ukrainës që në nisje të pushtimit rus, më 24 shkurt të 2022, me mbështetje ushtarake dhe sanksione ndaj Rusisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




