Tërmeti Turqi-Siri/ Më shumë se 28 000 të vdekur, OKB: Viktimat do të dyfishohen

“Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri i cili ka shkuar më shumë se 28,000 do të dyfishohet “, kështu paralajmëroi Martin Griffiths, një zyrtar i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për koordinimin e operacioneve humanitare .
Martin Griffiths ishte një ditë më parë në qytetin e Kahramanmaras, ku tërmeti 7.8 Rihter ndodhi më 6 shkurt dhe mori jetën e 24,617 qytetarëve në Turqi dhe 3,547 në Siri (gjithsej 28,191 persona) sipas të dhënave të fundit.
“Unë mendoj se është e vështirë të vlerësohet numri i vdekjeve me saktësi megjithatë, unë jam i sigurt se do të dyfishohet, nëse jo edhe më shumë. Numërimi i vdekjeve nuk ka filluar ende,” shtoi ai.
Dhjetëra mijëra punonjës të shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë rrënojat, mes motit të ftohtë që përkeqëson situatën për viktimat e tërmetit.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se të paktën 870,000 njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore, ushqime të ngrohta, në Turqi dhe Siri. Vlerësohet se deri në 5.3 milionë njerëz kanë mbetur të pastrehë vetëm në Siri.
Gati 26 milionë njerëz janë prekur nga fatkeqësia, tha dje Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke apeluar për 42.8 milionë dollarë donacione për të financuar përpjekjet për të adresuar nevojat e menjëhershme shëndetësore.
Sipas Agjencisë së Reagimit ndaj Fatkeqësive të Turqisë (AFAD), më shumë se 32,000 anëtarë të ekipeve turke të shpëtimit janë përfshirë në kërkim, të cilëve u janë shtuar 8,294 anëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe agjencive të ndihmës nga jashtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




