Lufta në Ukrainë/ Qytetarët festojnë në Kherson, por zyrtarët paralajmërojnë: Mbarimi i luftës, ende shumë larg

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se “lufta nuk ka përfunduar” pas tërheqjes së Rusisë nga Kherson, edhe pse festimet vazhdojnë gjatë fundjavës. Turmat brohoritëse mirëpritën trupat ukrainase në qytet, i vetmi kryeqytet rajonal i marrë nga Moska që nga shkurti.
Skena të ngjashme hareje u raportuan edhe në rajone të tjera anembanë Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin, Kiev dhe Odesa. Por pavarësisht goditjes ndaj ambicieve të Moskës, zyrtarët ukrainas mbeten të kujdesshëm.
Yuriy Sak, një këshilltar i ministrit ukrainas të mbrojtjes, paralajmëroi se ishte “shumë herët për t’u çlodhur”.
“Ne gjithmonë kemi besuar se do të çlironim Kherson dhe ne jemi të sigurt se tani rusët kanë filluar të besojnë se ata kurrë nuk do të jenë në gjendje ta fitojnë këtë luftë. Ne shohim panikun në radhët e tyre. Ne shohim panik në makinën e tyre propagandistike. Por sigurisht, ky është një moment shumë i rëndësishëm, por… kjo luftë nuk ka përfunduar”, tha ai.
Khersonit i mungon uji i rrjedhshëm, ilaçet dhe ushqimi, por furnizimet e urgjencës kanë filluar të mbërrijnë nga Mykolaiv.
Sak paralajmëroi për rrezikun e vazhdueshëm të sulmeve me raketa. Rusia ka qëlluar me raketa në infrastrukturën energjetike të Ukrainës javët e fundit, duke dëmtuar rëndë prodhimin e vendit./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



