OKB kërkesë Kievit dhe Moskës: Rinovoni marrëveshjen e eksportit të grurit! Të kontribuojmë në sigurinë ushqimore në botë

Botë | 4 vite më parë

Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Kievit dhe Moskës të rinovojnë marrëveshjen që lejon rifillimin e eksporteve të grurit nga portet e Ukrainës në Detin e Zi.

Stéphane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes përkatëse që siguron që drithërat dhe plehrat nga Rusia të kanalizohen edhe në tregun botëror.

“Ne theksojmë nevojën urgjente për ta bërë këtë në mënyrë që të kontribuojmë në sigurinë ushqimore në mbarë botën dhe të lehtësojmë vuajtjet e shkaktuara miliarda njerëzve nga kriza globale lidhur me koston në rritje të jetesës,” tha Stéphane Dujarric.

Sipas marrëveshjes së 22 korrikut, Ukraina ishte në gjendje të rifillonte eksportet e grurit dhe plehrave, të cilat ishin pezulluar pas pushtimit rus të 24 shkurtit. Marrëveshja fillimisht ishte e vlefshme për 120 ditë.

OKB – ja po punon për të zgjatur marrëveshjen deri në një vit dhe për të përmirësuar procesin e inspektimeve të përbashkëta të anijeve nga zyrtarët e OKB -së, Turqia, Rusia dhe Ukraina. Kombet e Bashkuara kohët e fundit theksuan se inspektimet e më shumë se 150 anijeve ishin në pritje.

Rusia e ka kritikuar marrëveshjen, duke u ankuar se eksportet e saj janë ende duke u penguar dhe se nuk ka grurë të mjaftueshëm ukrainas që po arrin në vendet në nevojë. Moska mund të bllokojë zgjatjen e marrëveshjes së eksportit përtej nëntorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme