Aneksimi i territoreve/ Stoltenberg: Aleatët e NATO-s të vendosin unanimisht për anëtarësimin e Ukrainës

“Vendimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO duhet të merret unanimisht nga të 30 anëtarët e Këshillit“. Kështu është shprehur shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, ndërsa aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia e përshkroi si përshkallëzimin më serioz të konfliktit që nga nisja e luftës.
Stoltenberg i bëri thirrje presidentit rus Putin që t’i japë fund luftës si përgjegjës për fillimin e saj.
“Putini ka mobilizuar qindra mijëra trupa, po lëshon kërcënime të papërgjegjshme bërthamore dhe tani po anekson ilegalisht më shumë territor ukrainas. E gjithë kjo së bashku përbën përshkallëzimin më serioz që nga fillimi i luftës. Nëse e lëmë Putinin të fitojë në Ukrainë, do të jetë katastrofike për Ukrainën dhe e rrezikshme për ne”, tha Stoltenberg.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi një ditë më parë se vendi i tij po dorëzon një kërkesë urgjente për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s .
Kërkesa e Zelensky erdhi menjëherë pasi presidenti rus nënshkroi traktatet e aneksimit të katër rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia , në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Shqipëria dhe SHBA paraqitën një rezolutë në OKB, e cila dënonte referendumet e zhvilluara në Ukrainë nga pushtesit rusë. Rezoluta u hodh poshtë pasi Rusia vendosi veton.
Përfaqësuesi i Moskës në OKB votoi kundër, ndërsa Kina abstenoi së bashku me Brazilin, Indinë dhe Gabonin. Rezoluta e paraqitur nga SHBA dhe Shqipëria mori 10 vota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



