Përfundojnë referendumet, 99 % pro bashkimit me Rusinë! Zelensky: Farsë

Kanë përfunduar katër referendumet në rajonet e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia. Deri në katër milionë njerëzve iu kërkua të votonin në rajonet e shkatërruara nga lufta, të cilat përbëjnë rreth 15% të territorit të Ukrainës. Sipas BBC, deri në 99.23% e njerëzve votuan në favor të bashkimit me Rusinë. Këto vota Moska mund t’i përdorë si bazë për të aneksuar më shumë territore.
Në mungesë të njohjes ndërkombëtare, procesi nuk monitorohej në mënyrë të pavarur. Votimet u mbajtën në rajonet lindore separatiste Donetsk dhe Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Refugjatët e shpërndarë nëpër Rusi ishin gjithashtu në gjendje të votonin në dhjetëra qendra votimi, duke përfshirë në Krime, një gadishull jugor të Ukrainës i aneksuar nga Rusia në 2014. Rezultatet e pjesshme nga votimi atje treguan një shumicë të madhe në favor të bashkimit me Rusinë.
Presidenti rus Vladimir Putin mund të shpallë aneksimin e katër rajoneve në një fjalim në një seancë të përbashkët të parlamentit rus të premten. Në mars të vitit 2014, ai njoftoi se Krimea i ishte bashkuar Rusisë vetëm disa ditë pasi një referendum i ngjashëm u mbajt atje.
Nëse Rusia anekson katër rajonet, të cilat Moska nuk i kontrollon plotësisht, ajo mund ta çojë luftën në një nivel të ri dhe më të rrezikshëm. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për “shkelje brutale të statutit të OKB-së” duke u përpjekur të aneksojë territoret e kapura me forcë.
“Kjo farsë në territorin e pushtuar nuk mund të quhet as imitim i referendumeve. Një përpjekje shumë cinike për të detyruar burrat në territorin e okupuar të Ukrainës të mobilizohen në ushtrinë ruse për t’i dërguar ata të luftojnë kundër atdheut të tyre”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



