Riatdhesimi i të ndaluarve në Siri, Këshilli i Evropës thirrje vendeve anëtare për kthimin e të burgosurve

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit që të lejojnë riatdhesimin e shtetasve të tyre të arrestuar në Siri.
Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinentin evropian. Franca dhe Britania e Madhe janë ndër vendet me refuzuese për riatdhesimin e të burgosurve në Siri, të cilët kanë qenë të lidhur me grupin ekstremist, të ashtuquajtur “Shteti Islamik”.
Disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën kanë riatdhesuar disa qytetarë që luftuan përkrahë xhihadistëve, por vendet tjera kanë pranuar kthimin vetëm të grave dhe fëmijëve që ishin me ta.
Parisi dhe Londra, insistojnë se personat që iu bashkuan IS-it, duhet të mbahen në kampet e kontrolluara nga kurdët, dhe të njëjtit duhet të gjykohen dhe dënohen nga gjykatat lokale.
Por, sipas deklaratës së Mijatoviq, veprat e shtetasve të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, “bien nën juridiksionin e këtyre vendeve”. “Gjendja në kampe rrezikon jetën, shëndetin fizik dhe mendor të të ndaluarve atje, veçanërisht të fëmijëve”, tha ajo. Një trajtim i tillë në këto kampe, sipas saj, është në kundërshtim edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kampi Al-Hol në verilindje të Sirisë mban gati 63.000 njerëz, përfshirë mijëra nga Evropa dhe Azia. Shumica janë gra dhe fëmijë që u larguan atje pasi bastionet e fundit të IS-it u shkatërruan dy vjet më parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




