Stoltenberg: Me largimin e Donald Trump është rikthyer bashkëpunimi i SHBA me NATO-n

Botë | 5 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Brukselit se me largimin e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë është normalizuar komunikimi dhe bashkëpunimi mes Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Fryma në shtëpinë e Bardhë është ndryshe dhe gjatë këtij samiti është theksuar se NATO shkon përtej një lideri të caktuar politik. Siguria e Aleancës është përtej një lideri të vetëm”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s renditi si kërcënim të sigurisë edhe Kinën.

“Ata janë në hapësirën kibernetike, në Afrikë, në Arktik, por ne gjithashtu shohim Kinën që investon shumë në infrastrukturë dhe përpiqemi ta kontrollojmë atë. Ne kemi parë diskutimin në lidhje me 5G dhe kjo është arsyeja pse agjenda e NATO-s 2030 është kaq e rëndësishme. Kjo sepse agjenda e NATO-s ka të bëjë me forcimin e rezistencës sonë, ka të bëjë me investime në teknologji sigurimin që të rritemi në mbrojtjen kibernetike. Kina nuk i ndan vlerat tona. Ne shohim se si ata godasin protestat demokratike në Hong Kong dhe persekutojnë pakicat në vendin e tyre, përdorin teknologji moderne, media sociale, për të monitoruar popullsinë e tyre në një mënyrë që nuk e kemi parë kurrë më parë”, deklaroi ai.

Në nisje të samitit Presidenti i SHBA Joe Biden tha se NATO është “shumë e rëndësishme” për interesat amerikane “Artikulli 5 është një detyrim i shenjtë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë duke iu referuar doktrinës së mbrojtjes kolektive të aleancës transatlantike.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme