Kina propozim katërpikësh për luftën globale kundër korrupsionit

Kina bëri të mërkurën një propozim me katër pika mbi bashkëpunimin ndërkombëtar kundër korrupsionit, duke bërë thirrje për respektimin e ndryshimeve midis vendeve dhe për një qëndrim zero tolerancë ndaj korrupsionit, njofton CRI.
Zhao Leji, sekretar i Komisionit Qendror për Inspektimin e Disiplinës të PKK-së e tha këtë gjatë një sesioni të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi sfidat e masat për parandalimin, luftën dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndaj korrupsionit.
“Kina është një pjesëmarrëse aktive dhe kontribuuese në qeverisjen globale kundër korrupsionit,” tha Zhao. Vendi kontribuoi në miratimin e Deklaratës së Pekinit për Luftimin e Korrupsionit nga APEC dhe Parimet e Nivelit të Lartë mbi Bashkëpunimin për Personat e Kërkuar për Korrupsion dhe Rimëkëmbjen e Aseteve nga G20, dhe paraqiti Nismën e Pekinit për Rrugën e Pastër të Mëndafshit për të thelluar bashkëpunimin “Një brez, një rrugë”, theksoi ai.
Duke përshkruar propozimin e Kinës mbi bashkëpunimin global anti-korrupsion, ai bëri thirrje për më shumë përpjekje në mbështetje të drejtësisë.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë konsensus të gjerë politik, të mbajë një qëndrim të tolerancës zero ndaj korrupsionit, të kryejë bashkëpunim me pengesa zero dhe të vazhdojë përpara për bashkëpunimin për personat e kërkuar për korrupsion, rikuperimin e aseteve dhe për ryshfetin e biznesit të huaj,” tha ai.
Ndërkohë, vendet duhet të respektojnë ndryshimet midis tyre dhe të promovojnë barazinë dhe të kuptuarit e ndërsjellë, theksoi ai.

Zhao Leji(Foto:Xinhua)
“Ne duhet të respektojmë sovranitetin dhe sistemet politike dhe ligjore të secilit vend, të respektojmë të drejtën e tyre për të zgjedhur mënyrat e tyre për të luftuar korrupsionin dhe të nxisim një partneritet ndërkombëtar për bashkëpunimin anti-korrupsion që bazohet në barazi, respekt për dallimet, shkëmbime dhe të kuptuarit e ndërsjellë dhe përparimin e përbashkët”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve në të gjithë botën të “mbajnë premtimet dhe të vendosin veprat në radhë të parë”. Nënshkruesit e Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit duhet të “respektojnë angazhimin e tyre solemn për të luftuar korrupsionin së bashku”.
Zhao ritheksoi përpjekjen anti-korrupsion të Kinës, duke theksuar se PKK-ja dhe qeveria kineze “qëndrojnë të palëkundura kundër korrupsionit”.
“Ne kemi miratuar një qasje holistike për të adresuar si simptomat, ashtu edhe shkaqet themelore të korrupsionit, dënimin e kombinuar të bazuar në ligj, kontrollet institucionale, edukimin dhe udhëzimin për ta bërë qeverisjen tonë anti-korrupsion më efektive,” tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




