Kinë: Tregtia e jashtme, rritje 38.6 % në 3-mujorin e parë të vitit

Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme Doganore e Kinës të publikuara të martën, vëllimi i tregtisë së jashtme të Kinës në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 1.3 trilion dollarë, duke u rritur 38.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, falë forcimit të kërkesës së huaj që çoi rritje të eksporteve.
Eksportet u shtuan me 49 %, duke arritur në 709.98 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa importet 28 %, më një vlerë të përgjithshme 593.62 miliardë dollarë.
Eksportet kineze kanë përfituar nga shtimi i kërkesës jashtë vendit për mallra kineze, ndërsa ekonomia globale vazhdon të rimëkëmbet pas përshpejtimit të vaksinimit. Aktiviteti i fabrikave në ShBA u rrit në mars për shkak të shtimit të madh të porosive të reja, dhe rritja e aktivitetit mujor të fabrikave në Eurozonë ishte më e shpejta e regjistruar.
Në mars, eksportet e Kinës u rritën me 30.6 % në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, më pak se parashikimi prej 35.5 % në një sondazh të mëparshëm të “Reuters”-it me 27 ekonomistë.
Megjithëse rritja e pritur e eksporteve në mars është shumë më e ulët se shtimi me 60.6 % në janar-shkurt, ajo prapëseprapë pasqyron një rritje të fortë, pasi niveli i dy muajve të parë të vitit të kaluar ishte një bazë shumë më e ulët, pas tkurrjes gjatë kohës kur epidemia e COVID-19 në Kinë ndodhej në kulmin e saj.
Importet në mars u rritën me 38.1 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, më shumë se parashikimi i “Reuters”-it prej 23.3 %.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




