Blinken në Bruksel, bisedon me aleatët për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po takohet në Bruksel me aleatët evropianë dhe të NATO-s për një sërë çështjesh, përfshirë grumbullimin e forcave të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën dhe operacionet e koalicionit në Afganistan.
Zoti Blinken ishte në Bruksel tri javë më parë për një samit me homologët e tij nga vendet anëtare të NATO-s. Gjatë takimit, ai foli mbi përparësinë e Shteteve të Bashkuara për t’u përqëndruar në forcimin e lidhjeve me aleatët.
“Gëzohem që po kthehem në Bruksel. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të rindërtuar aleancat, veçanërisht me aleatët tanë të NATO-s,” shkroi zoti Blinken të hënën në Twitter. “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për NATO-n si forumi thelbësor për sigurinë ndëraatlantike,” tha ai.
Takimet e zotit Blinken për sot përfshijnë bisedime me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.
Lëvizjet e fundit të trupave ruse në zonën kufitare kanë ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Sekretari Blinken foli të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për situatën dhe tha se mendimi i përbashkët ishte që “Rusia duhet t’i japë fund grumbullimit të rrezikshëm të forcave ushtarake dhe agresionit që vazhdon përgjatë kufijve të Ukrainës”.
Zoti Stoltenberg shprehu mbështetje për Ukrainën ndërsa komentoi sot së bashku me ministrin Kuleba, duke thënë se “NATO qëndron përkrah Ukrainës.”
“Grumbullimi i konsiderueshëm i forcave ushtarake të Rusisë është i pajustifikueshëm, i pashpjegueshëm dhe thellësisht shqetësues,” tha zoti Stoltenberg. “Rusia duhet t’i japë fund grumbullimit të forcave brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet dhe të të ulë menjëherë tensionet,” tha ai.
Nga ana e tij, ministri ukrainas Kuleba tha se Ukraina “nuk dëshiron luftë” dhe është “e përkushtuar ndaj mjeteve diplomatike dhe politike për zgjidhjen e konfliktit”.
Ndërsa theksoi mbështetjen e NATO-s, zoti Kuleba shtoi se, “Nëse Rusia ndërmerr ndonjë veprim të pamatur ose fillon një spirale të re dhune, kjo do të jetë e kushtueshme në të gjitha kuptimet.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




