Izrael-Palestine, Blinken: Të dy palët të kenë liri të barabarta!

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken gjatë një bisede telefonike me homologun e tij izraelit Gabi Ashkenazi tha se izraelitët dhe palestinezët duhet të kenë liri, siguri, mirëqenie dhe demokraci të barabarta. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price dha një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike të zhvilluar mes Blinken dhe Ashkenazi. Sipas deklaratës, dy ministrat krahas marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjeve rajonale biseduan edhe për ndihmat humanitare të SHBA-së për Palestinën si dhe proceset e normalizimit mes Izraelit me disa vende arabe dhe myslimane. “Sekretari nënvizoi besimin e administratës së Bidenit në faktin se izraelitët dhe palestinezët duhet të kenë liri, siguri, mirëqenie dhe demokraci të barabarta”, thuhet në deklaratën në të cilën më tej vihet në dukje se SHBA-ja ka shprehur sërish angazhimin e saj në mënyrën më të fuqishme lidhur me sigurinë e Izraelit. Administrata e Joe Bidenit në SHBA aktivizoi sërish ndihmat për Palestinën të pezulluara në periudhën e Donald Trumpit dhe deklaroi se do tregonte përpjekje për zgjidhjen me ”dy shtete”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




