Këshilli i sigurimit i OKB-së dënon dhunën në Mianmar

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi përdorimin e dhunës kundër protestuesve në Mianmar.
Në deklaratën e lëshuar thuhet se “anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehin shqetësim të thellë për përkeqësimin e shpejtë të situatës” dhe “dënojnë fuqishëm përdorimin e dhunës kundër protestuesve paqësorë, ashtu si edhe vdekjet e qindra civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë”.
Këshilli përsëriti thirrjen për ushtrinë e Mianmarit që të ushtrojë përmbajtje.
Sipas diplomatëve, Kina, fqinje dhe aleate e Mianmarit, ka kundërshtuar përdorimin e gjuhës më të ashpër në deklaratë.
Mianmari, që ndryshe njihet edhe si Birmani, është përfshirë nga trazirat prejse ushtria ka marrë pushtetin, më 1 shkurt.
Më shumë se 500 njerëz besohet se janë vrarë në protesta.
Ushtria ka vënë nën arrest shtëpiak udhëheqësit e zgjedhur dhe ka premtuar zgjedhje të reja pas një viti.
Por, protestuesit thonë se duan rikthimin e menjëhershëm në demokraci.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera kanë vendosur sanksione kundër ushtrisë së Mianmarit./REL
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




