Takim i tensionuar SHBA-Kinë, akuza të ndërsjellta mes superfuqive botërore

Botë | 6 vite më parë

Diplomatët amerikanë dhe kinezë u përplasën rëndë me njëri-tjetrin në bisedimet e para të nivelit të lartë, që kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën më 20 janar.
Zyrtarët kinezë e akuzuan SHBA-në për nxitjen e vendeve të tjera “për të sulmuar Kinën”, ndërsa SHBA-ja tha se Kina synon “ta madhërojë” veten.
Takimi u zhvillua në Ankorixh të Alaskës. Fjalët e hapjes para gazetarëve, që zakonisht zgjasin për disa minuta, zgjatën për më shumë se një orë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kinës “kërcënojnë rendin e bazuar në rregulla, i cili ruan qëndrueshmërinë globale”.
Ai tha se SHBA-ja do t’i diskutojë shqetësimet e saj të thella për veprimet e Kinës edhe në Ksinjiang. Uashingtoni e akuzoi Pekinin për “gjenocid” kundër ujgurëve myslimanë në këtë rajon.
Blinken tha se SHBA-ja do të diskutojë edhe për Hong Kongun, Tajvanin, sulmet kibernetike dhe detyrimin ekonomik të Kinës ndaj aleatëve amerikanë.
Kina, e përfaqësuar nga zyrtari i lartë i Partisë Komuniste, Yang Jiechi, dhe ministri i Jashtëm, Wang Yi, u përgjigj me zemërim, duke thënë se kundërshton fuqishëm ndërhyrjen e SHBA-së në punët e saj të brendshme.
“Ne kemi shprehur kundërshtimin tonë të vendosur ndaj ndërhyrjeve të tilla dhe, në përgjigje, do të ndërmarrim veprime të prera”, paralajmëroi Yang.
Ai po ashtu tha se SHBA-ja ka dështuar të merret me problemet e saj me të drejtat e njeriut.
Wang i kritikoi sanksionet e fundit amerikane kundër zyrtarëve të lartë kinezë – të shpallura në prag të bisedimeve – për, siç tha Uashingtoni, shkeljen e lirive në Hong Kong.
Ai gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara për përdorimin e ndikimit të tyre ushtarak dhe financiar, “për të shtypur vendet e tjera”.
“SHBA-ja abuzon me të ashtuquajturat nocione të sigurisë kombëtare, për të penguar shkëmbimet normale tregtare dhe për t’i nxitur disa vende që të sulmojnë Kinën”, tha Wang.
Marrëdhëniet midis dy superfuqive janë të tensionuara prej vitesh. Problemet mes tyre kanë të bëjnë me politikat tregtare, ndërhyrjet kibernetike, të drejtat e njeriut e të tjera.
Blinken, i cili sapo ka vizituar Japoninë dhe Korenë e Jugut, dy aleatë të rëndësishëm të SHBA-së në rajonin e Azi-Paqësorit, tha se Kina përfaqëson “provën më të madhe gjeopolitike të Amerikës në shekullin 21”.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme