Donacione të pakta, Jemeni pranë zisë së ushqimit

Botë | 6 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu të hënën zhgënjim se konferenca e donatorëve për Jemenin kishte grumbulluar më pak se gjysmën e rreth 4 miliardë dollarëve që nevojiten për të shmangur urinë katastrofike që mund të lërë miliona të vdekur në këtë vend të shkatërruar nga lufta.“Miliona fëmijë, gra, persona në nevojë në Jemen kanë nevojë për ndihmë që të mbijetojnë. Ndërprerja e ndihmave është dënim me vdekje!” tha Guterres.

Zotimet për 1.67 miliardë dollarë donacione në konferencën e zhvilluar përmes internetit dhe të organizuar nga OKB, Zvicra dhe Suedia, janë 1.9 miliardë dollarë më pak se shuma e nevojitur për të dërguar ndihma jetike për këtë vit. “Të shpresojmë se zotimet e sotme janë një këst i parë në përgjigje të urisë më të rëndë që ka parë bota në dekada,” tha Guterres.

Lufta që vazhdon prej gjashtë vjetësh mes qeverisë jemenase të mbështetur nga sauditët dhe kryengritësve huti që gëzojnë mbështetjen e Iranit e ka çuar këtë vend, më i varfri në Lindjen e Mesme, në një gjendje pranë katastrofës humanitare.

OKB thotë se 16 milionë jemenas janë të uritur, ndër të cilët 5 milionë janë në prag të zisë së bukës. Rreth 50,000 vetë kanë kaluar tashmë në këtë gjendje të dëshpëruar.

Ushqimet nuk mungojnë, tregjet janë plot me artikuj, por pas luftës disa vjeçare dhe kolapsit ekonomik, njerëzit nuk kanë mundësi financiare për të blerë.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme