Kanadaja: Trajtimi i Ujgurëve në Kinë, gjenocid

Botë | 6 vite më parë

Parlamenti i Kanadasë ka votuar për të shpallur trajtimin që u bën Pekini ujgurëve si gjonocid, pak orë pasi Kina ka pretenduar se trajtimi i këtij grupi minoritar është “shembull i ndritshëm” i përparimit në fushën e të drejave të njeriut.

Kjo pikë, që përcakton se ujgurët në Kinë “kanë qenë dhe janë subject i gjenocidit”, është miratuar në mënyrë unanime më 22 shkurt.

Parlamenti kanadez ka votuar për të miratuar edhe një amendament që kërkon bartjen e Lojërave Olimpike Dimërore nga Pekini, nëse Kina vazhdon trajtimin e njëjtë ndaj ujgurëve.

Marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Kanadasë kanë qenë të tensionuara në vjetët e fundit dhe kjo masë pritet të përshkallëzojë edhe më shumë situatën.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, ka thënë javën e kaluar se ka pasur raportime të rëndësishme për abuzimet që kanë ndodhur në Ksinjiang, ku grupet për të drejta të njeriut besojnë se të paktën 1 milion ujgurë dhe minoritete tjera myslimane janë burgosur nëpër kampe.

Thirrjet për veprime nga Kanadaja forcojnë kërkesat e shteteve tjera perëndimore për të drejtat e njeriut në Kinë.

Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë përdorur fjalën gjenocid kur përshkruajnë trajtimin e ujgurëve në Kinë.

Kina ka hedhur poshtë komente të tilla, duke e përshkruar Ksinjiangun si çështje të brendshme.

Pekini pretendon se kampet atje synojnë të ofrojnë trajnim dhe të ndihmojnë në luftim të ekstremizmit islamik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme