KS-OKB mirëpret zgjedhjen e qeverisë së re të përkohshme në Libi

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka mirëpritur zgjedhjen e qeverisë së re të përkohshme në Libi e cila do të qeverisë vendin deri në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përbashkët, KS-OKB njoftoi se zgjedhja e qeverisë së re të përkohshme në Libi është “një pikë kthese e rëndësishme në procesin politik”.
Duke shprehur kënaqësinë e zgjedhjes së qeverisë së re të përkohshme nga Forumi Libian për Dialog Politik, KS-OKB bëri thirrje për formimin në mënyrë të shpejtë të një qeverie të re gjithëpërfshirëse dhe fillimin e një procesi dakordimi kombëtar gjithëpërfshirës deri në zgjedhjet e planifikuara më 24 dhjetor.
Po ashtu KS-OKB u bën thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë armëpushimin e arritur më 23 tetor 2020 dhe të gjitha forcat e huaja dhe ushtarët mercenarë të largohen nga vendi pa u vonuar.
Duke i bërë thirrje Libisë për zbatimin e embargos së armëve, KS njoftoi se nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pret propozimet lidhur me përmasat dhe detyrat për mekanizmin kontrollues të armëpushimit në Libi.
Si rezultat i votimit nga anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik që u mblodhën nën kryesimin e OKB-së në Gjenevë të Zvicrës, Mohammad Younes Menfi u zgjodh në krye të Këshillit Presidencial në Libi ndërsa Abdul Hamid Mohammed Dbeibah në detyrën e kryeministrit të cilët do të kryejnë këto detyra deri në zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në vend më 24 dhjetor 2021.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




