Zyrtari i OKB-së apelon për respekt të ndërsjellë mes grindjeve për karikaturat

Botë | 6 vite më parë

Përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, Miguel Angel Moratinos bëri thirrje për respekt të ndërsjellë të të gjitha feve dhe besimeve si dhe për nxitje të një kulture të vëllazërimit dhe paqes, njofton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, Moratinos bëri të ditur se ai po ndjek me shqetësim të thellë tensionet në rritje dhe rastet e intolerancës të shkaktuara nga botimi i revistës franceze Charlie Hebdo të karikaturave satirike që vizatuan Profetin Muhammed të fesë Islame.
“Karikaturat po ashtu kanë provokuar akte dhune kundër civilëve të pafajshëm, të cilët u sulmuan për fenë e tyre të pastër, besimin ose etninë e tyre”, tha Moratinos.
Ai theksoi se fyerja e feve dhe simboleve të shenjta fetare provokuan urrejtje dhe ekstremizëm të dhunshëm, duke çuar, siç tha ai, në polarizimin dhe përçarjen e shoqërisë.
Përfaqësuesi i lartë i OKB-së tha se liria e shprehjes duhet të ushtrohet në mënyrën duke respektuar plotësisht besimet fetare dhe parimet e të gjitha feve.
“Aktet e dhunës nuk mund dhe nuk duhet të shoqërohen me asnjë fe, kombësi, civilizim ose grup etnik”, tha ai.
Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron përshkroi Islamin si “një fe në krizë” dhe njoftoi planet për ligje më të ashpra për të trajtuar “separatizmin islamik” në Francë.
Tensionet u përshkallëzuan më tej më 16 tetor pas prerjes së kokës së mësuesit të shkollës së mesme, Samuel Paty në periferi të Parisit, pasi ai paraqiti karikaturat blasfemuese të Profetit Muhammed gjatë orës mësimore dedikuar lirisë së shprehjes.
Sulmuesi i tij, Abdullakh Anzorov, një 18-vjeçar me origjinë çeçene, u vra më pas nga policia.
Macron i bëri homazhe Paty-t dhe karikaturat fyese të revistës Charlie Hebdo u projektuan edhe në ndërtesa në disa qytete.
Presidenti francez mbrojti karikaturat duke theksuar se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”, veprim që shkaktoi zemërim në të gjithë botën muslimane.
Përveç dënimeve nga shumë vende, përfshirë Turqinë, Iranin dhe Pakistanin, ka pasur edhe thirrje për të bojkotuar produktet franceze, protesta dhe sulme në faqet franceze të internetit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme