Putin për Navalnin: Unë i kam shpëtuar jetën, e çova në Gjermani

Botë | 6 vite më parë

Disidenti rus Aleksei Navalny ka akuzuar direkt presidentin rus Vladimir Putin si njeriun kryesor që ka lidhje me eliminimin e tij. Për herë të parë pas akuzave ka reaguar Presidenti rus, Vladimir Putin i cili jo vetëm që nuk pranon akuzat, por thotë se ka qënë ai që ka ndërhyrë për ti shpëtuar jetën Navalnit.

Putin ka deklaruar se ai ka ndërhyrë që Aleksei Navalny të mund të dërgohej në Gjermani për shërim, pasi ishte helmuar me agjentin nervor noviçok në muajin gusht. Putin po ashtu tha se nëse autoritetet ruse do kishin dashur që Navalny të vdiste, atëherë Moska nuk do ta lejonte që ai të fluturonte drejt Berlinit, ku 44-vjeçari është kuruar pasi helmimi për pak sa nuk i mori jetën.

Navalny, një kritik i madh i Putinit dhe një aktivist kundër korrupsionit, e ka fajësuar presidentin rus, se qëndron prapa helmimit të tij, një akuzë të cilën Kremlini e ka hedhur poshtë. Putin tha se ka kërkuar nga prokurorët rusë që të autorizojnë largimin nga vendi të Navalnyt, pasi gruaja e këtij të fundit kishte bërë një kërkesë të tillë.  “Ka pasur kufizime të udhëtimit ndaj tij, që lidhen me hetime për një rast kriminal” ndaj Navalnyt, tha Putin, duke shtuar “por, pavarësisht kësaj, i kërkova Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm që të lejojë që ai të largohet”.

Navalny rezultoi i helmuar gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë më 20 gusht.  Më pas ai është dërguar në Gjermani ku qëndroi gjatë në spital dhe me datë 22 Tetor ka lënë përfundimisht spitalin në Berlin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme