Irma Shkrepa, ekspertja e financës në “Klubi 5”: Kultura e sigurimit dhe rëndësia e tij në jetën tonë

Të varfër dhe të pa siguruar ?
Në emisionin e mëngjesit ‘’Klubi 5’’, moderatorët Florian Zyka dhe Erion Korini, e nisën bisedën me zonjën Irma Shkrepa, Specialiste në Sektorin e Financave, pas vox popeve të qytetarëve. Prononcimet ishin pro sigurimit. ka ndërgjegjësim por vështirësia për të qënë të qartë deri në fund se çfarë, japin dhe çfarë do të marrin nga kompanitë e sigurimit, e të tjera dilema i mbajnë shpesh peng dhe të pasiguruar.
Zonja Irma Shkrepa, u fut drejt e në sqarimin e konceptit “Unë jam i siguruar ose kam siguracione”.
“Jam e prirë të sqaroj të gjithë të interesuarit në terma të thjeshtëzuar. Lidhet një kontratë midis individit dhe pala tjetër quhet kompani sigurimi. Paguan po themi 10 lekë dhe brenda një viti prona është e siguruar. Nëse dëmtohet, kompania ka detyrimin ta kthej në gjendjen e mëparshme, nëse brenda një viti prona juaj nuk ka pësuar asnjë lloj dëmtimi natyror (tërmet, përmbytje, zjarr) atëherë pagesa prej 10 lekë mbetet në fondin e kompanisë.”
Sigurim i detyruar
Moderatori Florian Zyka, iu referua së vërtetës që ligji ose siguracioni i detyruar (siguracioni i makinës) është më i paguar, sepse ligji që ndërhynë mes kompanisë dhe individit.
Financierja Irma Shkreli argumentoi se:
“Ky lloj sigurimi është i detyrueshëm për shkak të pasojave që sjell tek të tretët, aksidente, dëme deri në humbje jete. Askush nuk mund të dali në qarkullim pa qenë i siguruar. Në këtë rast kemi dy palë, personi fizik dhe kompaninë e sigurimit. Paguhet një x shumë dhe brenda një viti, kompania merr përsipër dëmet, dëmshpërblimet madje dhe shërbimin mjekësor. Nëse automjeti dhe pronari nuk kanë përdorur siguracionin, atëherë shuma e paguar i mbetet kompanisë.“
Po prona, banesat kur do t’i sigurojmë?
Pas tërmetit te vitit 2019-të dhe dëmeve që la pas, në vëmendje të popullatës edhe të shtetit, sigurimi i banesave u bë kryefjalë. Ka një projektligj lidhur me të drejtat dhe detyrimet e pronarëve, për të siguruar banesat e tyre.
“Pritej që pas tërmetit veçanërisht në zonat e prekura të kishte një bum siguracionesh në këtë gjë, vuri theksin ekspertja por jashtë çdo parashikimi, kemi një frekuencë të ulët. Kështu që qeveria e ka gati projektligjin, që synon sigurimin e fondeve për rindërtimin e banesave në rast se prekemi nga tërmeti. Ky projektligj është në fazën e konsultimit publik, e me pas do të kaloj në parlament për t’u miratuar. Janë parashikuar që individët në vështirësi financiare (pensionist, ose ata që trajtohen me ndihmë sociale), të kompensohen nga buxheti i shtetit. Ka dhe diferenca financiare që varen nga vendndodhja e banesës dhe hapësira.”
Je i varfër? Sigurohu tani!
Ku të sigurohem dhe cilat janë zërat që duhet të sigurojmë me përparësi? Kjo pyetje solli mjaft informacion për dëgjuesit e Radio Tiranës në valët e emisionit “Klubi 5”. Zonja Shkrepa vlerësoi siguracion për shëndetin të parin.
“Janë rritur kostot, e shumë shërbimeve shëndetësore, kirugjia, ndërhyrjet e tjera, pa siguracion nuk përballohen. Ne jemi të varfër, edhe nëse kemi kursime, devijimi i fondit është i dhimbshëm. Jemi të varfër, rastet e paparashikuara vetëm me sistemin e siguracioneve mund t’i përballojmë.”
Ku duhet të sigurohemi?
Shumë kompani sigurimi premtojnë shërbim korrekt në kohë, madje ofrojnë kushte lehtësuese, kjo u tha nga qytetarët në vox popet e tyre, vijmë tek pyetja, Kë të zgjedhim si ta besojmë?
“Komunikimi është çelësi i parë i besimit tek kompania udhëzoi zonja Irma Shkrepi, Eksperte në Sektorin e Financës, nëse nuk ju sqarojnë deri në fund, nuk ju dëgjojnë, paragjykojnë pyetjet tuaj, duke i vlerësuar si naive, nuk ju flasin për detaje, atëhere mos firmosni kontratën. Komunikimi është i pari, disponibiliteti. Së dyti, shikoni historikun e kompanisë së sigurimeveve, gjeni të dhëna që flasin për likujdim të detyrimeve të tyre. Mblidhni informacion nga njerëzit tuaj më të afërt,” përfundoi bisedën e ftuara në emisionin “Klubi 5”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




