Eni Albania, punimet përgatitore për shpimin e pusit Durmrea Deep-1 nisin në dhjetor

Ekonomi | 3 vite më parë

Kompania Eni Albania ka dhënë më shumë hollësi rreth shpimit të pusit të naftës Dumrea Deep-1. Në një dokument të dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare, kompania e cila ka një marrëveshje hidrokarbure me ndarje prodhimi me qeverinë shqiptare, bën me dije se vendndodhja e pusit kërkimor të naftës do të jetë mes dy fshatrave.

“Zona e shpimit të pusit të propozuar ndodhet në luginën e lumit Shkumbin, pranë fshatrave Papër dhe Valasi, në afërsi të rrugës SH59, menjëherë pas urës në kryqëzim me rrugën SH7 (Elbasan – Papër – Cërrik. Vendbanimet më të afërta me zonën e projektit janë fshati Papër afërsisht 700 m në verilindje të sheshit të pusit dhe fshati Valasi afërsisht 600 m në jug të sheshit të pusit. Fshati Murras ndodhet 1.4 km në veriperëndim nga sheshi i shpimit. Në afërsi të sheshit të pusit ndodhen pak shtëpi të shpërndara, në anën e kundërt të rrugës SH59 në një distancë të përafërt prej 100 m në jug të sheshit të pusit)” bëhet e ditur në dokument.

Ky i fundit nënvizon se qëllimi i projektit është të vlerësojë praninë e rezervuarit naftëmbajtës (që pritet të jetë midis 5,000 – 6,500 metra thellësi në tokë), përmes pusit kërkimor “Dumrea Deep-1”, i cili do ta ketë vendndodhjen në Papër (Bashkia Elbasan).

“Projekti ndodhet brenda Bllokut Dumre, në një zonë që edhe më parë ka shprehur interes për shpimin e puseve kërkimore për naftë. Blloku Dumre mbulon në sipërfaqe prej 587 km2 dhe ndodhet në rajonin e Dumresë, në tokë, në zonën e Shqipërisë së mesme, afërsisht 40 km në jug të kryeqytetit Tiranë” nënvizohet në përmbledhjen e kompanisë.

Qeveria shqiptare ka nënshkruar me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje me kushte të reja dhe pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi Shqipëria përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Me nënshkrimin e marrëveshjes qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme