Mbështeja për bujqësinë, Denaj: 1.8 miliardë lekë për të gjithë aplikuesit e skemës kombëtare të naftës dhe blegtorisë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur të mërkurën se do të ketë një fond shtesë prej 1.8 miliardë lekësh për të gjithë aplikuesit e skemës kombëtare të naftës dhe të blegtorisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, ministrja nënvizoi se kjo shtesë shpreh edhe një herë angazhimin e plotë të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë.
“Bashkë me kolegët filluam menjëherë punën për të vënë në zbatim vendimin e sotëm të qeverisë për mbështetjen e të gjithë aplikuesve në skemën kombëtare të naftës dhe të blegtorisë. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) janë në punë intensive së bashku me fermerët dhe pushtetin vendor për ta realizuar këtë proces brenda vitit”, shkruan Denaj.
Po të mërkurën, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur disa ndryshime në buxhetin e vitit 2023, duke rritur me 7.5 miliardë lekë planin e të ardhurave të parashikuara.
Sipas tij, do të alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




