Si do përfitojmë nga fondet e BE? Ekspertët: Duhet administratë e kualifikuar dhe reforma

Reformat janë të domosdoshme, pasi ato do të shoqërohen me investime.
Kjo ishte thirrja e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen (o. von der Leyen) gjatë Samitit të Berlinit mbajtur në Tiranë.
Por cilat reforma duhet të kryejnë Shqipëria për të marrë sa më shumë fonde e grante nga Bashkimi Evropian?
Për ekspertin ekonomik, Ardian Civici, duhen reforma për përmirësimin e klimës së biznesit, thellimin e reformës në drejtësi për të garantuar garanci ligjore.
“Shqipëria duhet të sigurojë një garanci institucionale, ligjore në përputhje me kërkesat që kanë investimet e huaja të mëdha. Ka të bëjë pikërisht me realizimin, qartësimin dhe qëndrueshmërinë e gjithë këtyre politikave ‘të vogla’ që kanë të bëjnë me sistemin ligjor, fiskal, me klimën e biznesit, me burimet cilësore njerëzore,” thotë z. Civici.
Për analistin Ben Andoni, reformat kryesore për Shqipërinë janë në bujqësi, administratë publike dhe ulje të korrupsionit.
“Administrata jonë ka treguar se nuk ka aftësi absorbuese të madhe për sa i përket përgatitjes së projekteve. Problemi shumë i madh i pronave, që duke u parcelizuar është e pamundur që të bësh sidomos në bujqësi plane absorbuese. Ka rritje me korrupsionin shumë të madh që ka vendi ynë,” shprehet z. Andoni.
Për ekspertët bashkë me reformat vijnë dhe investimet, të cilat sjellin korridore të reja tregtie.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




