Ministri Mete: Ekonomia shqiptare po përjeton rimëkëmbje të shpejtë

Ekonomi | 3 vite më parë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete kryeson delegacionin e përbashkët me Bankën e Shqipërisë, në kuadër të takimit vjetor të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që po mbahen në Marrakesh, Marok.

Në fokus të takimeve janë situata më e fundit ekonomike dhe parashikimet për vitin e ardhshëm; progresi i reformave strukturore; konsolidimi fiskal, si edhe projektet e mbështetjeve financiare dhe asistencës teknike.

Sipas njoftimit për shtyp, në këto takime ministry Mete vlerësoi përmirësimin e fundit të parashikimeve të rritjes ekonomike nga FMN dhe Banka Botërore.

Mete tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit dhe po përjeton rimëkëmbje të shpejtë.

“Papunësia ka arritur një nivel historikisht të ulët me pjesëmarrjen e fuqisë punëtore tani të krahasueshme me ekonomitë e përparuara. Borxhi publik është rikthyer gjithashtu në nivelin e para krizës. Stabiliteti makroekonomik është reflektuar edhe në përmirësimin e ekuilibrit të huaj dhe inflacionit që tashmë është sa gjysma e një viti më parë dhe më i ulët se shumë vende të tjera evropiane”, u shpreh ministri.

Mete vuri në dukje se, përparimet në procesin e integrimit në BE janë një shtytje e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore.

“Këto reforma, përfshirë dhe reformat e menaxhimit të financave publike, kanë pasur progres edhe falë mbështetjes së dhënë nga FMN dhe BB”, theksoi ndër të tjera Mete.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme