Ministrja Kumbaro: Dita Botërore e Turizmit e gjen Shqipërinë në vitin e artë të saj me sezonin që vazhdon

Në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjendet në Riad, Arabia Saudite në aktivitetet dhe takimet që do të organizohen me ministra të turizmit nga e gjithë bota. Tema e zgjedhur për këtë vit është “turizmi dhe investimet e gjelbra”.
Në një postim në rrjetet sociale, zonja Kumbaro shprehet se “këtë vit kjo ditë e gjen Shqipërinë në vitin e artë të saj, me sezonin që ende vazhdon, por s’do të thotë aspak që e kemi “kry”, përkundrazi na nxit çdo ditë të rimendojmë dhe rikonceptojmë zgjidhje që përdorin asetet e turizmit në paqe të plotë me natyrën, tokën, biodiversitetin”.
Ministrja Kumbaro shkruan se “këto sfida prezantojmë edhe gjatë takimeve në Riad gjatë organizimeve kushtuar Ditës Botërore të Turizmit, në një udhëtim “të gjelbër” me kolegë ministra nga e gjithë bota, nën dirigjimin e Organizatës Botërore të Turizmit që e kemi mbështetëse në promovimin e Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm i turizmit të përgjegjshëm”.
Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara, do të mirëpresë përfaqësues nga më shumë se 100 shtete të saj anëtare, duke përfshirë më shumë se 50 ministra të turizmit. Me ta do të jenë përfaqësues të nivelit të lartë nga sektori privat i turizmit, si nga rajoni i Lindjes së Mesme ashtu edhe globalisht në Riad. Delegatët do të marrin pjesë në konferenca të shumta gjatë dy ditëve.
Dita Botërore e Turizmit (WTD) festohet në mbarë botën çdo 27 shtator, një datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror, që ndodhi më 27 shtator 1970.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




