Eksportuesit, letër qeverisë: Të zbuten goditjet që vijnë nga mbiçmimi i lekut

Ditën e sotme (1 shtator) Zyra e Unifikuar e Bizneseve të Eksportit i është drejtuar me një letër Kryeministrit, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave duke i kërkuar një angazhim më të madh me qëllim adresimin e vështirësive të përsëritura që sipas tyre po përjetojnë kompanitë prodhuese dhe eksportuese nga mbiçmimi i lartë i monedhës kombëtare.
Letra e cila është përgatitur me ekspertë të politikave fiksale dhe monetare dhe shoqërohet me sërë gjetjesh dhe rekomandimesh të cilat sipas përfaqësuesve të sipërmarrjeve eksportuese adresojnë çështjet me të ndjeshme për ta.
Në krye të kërkesave të Eksportuesve kërkohet rienergjizimi i luftës kundër informalitetit dhe pagesave cash, si dhe reduktimi i transaksioneve jashtë sistemit bankar.
Sipas tyre, BSH dhe institucionet e tjera shtetërore, duhet të vlerësojnë mundësinë e ofrimit të stimujve dhe lehtësirave të ndryshme personave dhe subjekteve ekonomike për pagesat me kartë.
Gjithashtu në letër kërkohet De-euroizimi i ekonomisë i cili do të reduktonte goditjet e pamenaxhueshme të kursit të këmbimit.
Për sipërmarrjet përdorimi i valutës së huaj në transaksionet brenda vendit, duhet të dekurajohet.
Vlen të thuhet se letra e sipërmarrjes vjen në fund të sezonit turistik, në momentin kur monedha shqiptare po pëson një zhvlerësim të lehtë në raport me euron dhe ku tashmë euro shkëmbehet me 108.42 lekë.
Sipas Zyrës së Unifikuar të Bizneseve të Eksportit, sipërmarrjet ndodhen në një situatë në kufijtë e mbijetesës.
Ata kërkojnë gjithashtu që së bashku me shoqatat e eksportuesve, të krijohet një grup ndër institucional për të identifikuar dhe zbatuar politika adekuate monetare e fiskale dhe reforma strukturore që nuk cënojnë stabilitetin makroekonomik, por që zbusin goditjet e rënda qe vijnë nga mbiçmimi i monedhës kombëtare.
Gazetar: Omer Saraçi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




