AMF: Rritet pesha e sigurimeve vullnetare

Ekonomi | 3 vite më parë

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se pesha e sigurimeve vullnetare është rritur.

Sipas tyre për 7-mujorin 2023 sigurimet vullnetare sollën afërsisht 38% të primeve të shkruara bruto në tregun e jo-jetës, nga 35.7% që ishte pesha e tyre një vit më parë.

Për shtatë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët paguan rreth 4.6 miliardë lekë për sigurime vullnetare, 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e peshës së sigurimeve vullnetare është e shpërndarë në disa klasa sigurimi.

Ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e peshës së sigurimit të pronave, sigurimit KASKO të automjeteve dhe sigurimi i përgjegjësive civile.

Duke parë zhvillimin e dobët të produkteve të sigurimit vullnetar, qeveria shqiptare ka marrë një nismë ligjore për të ngritur një skemë të sigurimit të detyrueshëm të banesave, të paktën nga tërmetet.

Projektligji u hodh për konsultim publik këtë muaj. Ai parashikon ngritjen e një kompania shtetërore që do të administrojë skemën.Ndërsa kompanitë e licencuara private janë përjashtuar nga skema dhe nuk parashikohen të kenë as edhe rolin e agjentëve të shitjes. 

Kompanitë e sigurimeve druhen se ngritja e një skeme të tillë do të ulë edhe më shumë interesin për të siguruar vullnetarisht pronën nga rreziqet e tjera natyrore.

/ rtsh. al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme