Një vështrim mbi vlerën e naftës në Shqipëri, faktorët që ndikojnë dhe rritja e paarsyeshme e çmimeve

Nuk ka shumë faktorë që ndikojnë në luhatjen e çmimit të naftës në Shqipëri. Pas datës 7 Qershor 2023, kur përfundoi funksioni i Bordit të Transparencës së Karburanteve, çmimi me pakicë ka lëvizur në rritje vetëm dy herë. Çmimi Platz i Mesdheut, ku kuotohet nafta që përdoret në Shqipëri, nuk e justifikon rritjen me deri 9 lekë për litër të naftës. Rritja nuk justifikohet as nga vlera e dollarit amerikan, monedha me të cilën blihet ky produkt.
Ajo që mbetet të merret në analizë është pritshmëria e tregut ndërkombëtar dhe sidomos efekti psikologjik që sjellin luhatjet në këtë treg.
Arabia Saudite ka të ngjarë të zgjasë uljen vullnetare të furnizimit me naftë prej 1 milion fuçi deri në shtator, në mënyrë që të mbështesë rimëkëmbjen e çmimeve të naftës. Vendi, si prodhuesi kryesor i OPEC-ut, prezantoi reduktimin shtesë këtë muaj për të rritur çmimet e naftës mes kërkesës së lëkundur.
Efektiviteti i shkurtimeve të prodhimit është i dukshëm, pasi çmimet e naftës janë rritur me rreth 12% në muajin e kaluar, duke arritur rreth 85 dollarë për fuçi.

Grafiku i luhatjes së çmimeve për naftën e papërpunuar.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në Paris parashikon një mungesë të naftës prej rreth 1.7 milionë fuçi në ditë gjatë gjysmës së dytë të vitit. Për më tepër, inventarët globalë parashikohen të bien me 310 milionë fuçi deri në fund të vitit 2023 dhe 94 milionë fuçi të tjera në tremujorin e parë të 2024, gjë që do të rezultojë në çmime më të larta të naftës. Parashikohet që tregjet e naftës të shtrëngohen gradualisht në muajt në vijim, duke çuar në rritje të çmimeve. Kësaj nuk i shpëton dot as tregu vendas.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




