Sejko: Nënçmimi euros po vjen nga përmirësimi i ekonomisë, Banka nuk mund të ndërhyjë!

Ekonomi | 3 vite më parë

Guvernatori i BSH, Gent Sejko ka vlerësuar se kursi i këmbimit mes lekut dhe valuitave të huaja po vjen si rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik dhe në këto kushte Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë.

Deklaratën e tij zoti Sejko e bëri në një konferencë për median pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes.

Sipas tij hyrja e euros në vend po stimulohet nga flukset e turizmit dhe investimet e huaja, blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt dhe remitancat. “Për rrjedhojë Banka nuk ka arsye të ndërhyrje në kursin e këmbimit” tha guvernatori i BSH.

Zoti Sejko tha se tregu i këmbimit monitorohet çdo orë, por ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë janë të përcaktuara në rregullore. Ndërhyrjet bëhen në raste të përcaktuara dhe zakonisht kur ka faktorë spekulative, u shpreh ai.

Gjithashtu BSH ndërhyn në rast të blerjes së valutës për krijimin e rezervës dhe për këtë ndërhyrje ka një kalendar të përcaktuar paraprakisht. Kemi blerë 120 milionë euro në 6 mujorin e parë dhe do të vazhdojmë blerjet, tha Sejko.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro u këmbye të mërkurën me 104.55 lekë, me një rënie prej 0.3 lekësh në raport me ditën e mëparshme, duke arritur në një tjetër rekord minimal historik, që nga viti 2002, kur euro filloi të funksiononte si monedhë fizike.

Që nga fillimi i këtij viti euro ka rënë me 11.5 lekë, ose me gati 10%, ndërsa këmbehet me 14.4 lekë (12.1%) më pak se 5 korriku i një viti më parë. Rënia ka qenë më e theksuar duke filluar nga maji.

Aktorët e mëdhenj të tregut thanë se kjo tendencë është e lidhur me ofertën e lartë në treg, që vjen si nga turizmi ashtu dhe nga burimet informale, që kanalizohen kryesisht në pasuritë e paluajtshme. Në kahun tjetër pothuajse asnjë nuk tërheq më euro, duke bërë që monedha e përbashkët të bjerë në mënyrë të vazhdueshme.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme