Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës shënuan rritje

Ekonomi | 4 vite më parë

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës shënuan rritje me gati 900 milionë lekë gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit gjatë periudhës janar-shkurt eksportet ishin 3.6 miliardë lekë, nga 2.7 miliardë lekë që ishin në 2-mujorin e 2021-shit.

Ndërkaq edhe importet për 2-mujorin shënuan rritje me gati 500 milionë lekë, duke arritur në 1 miliard lekë nga 520 milionë lekë që ishin në 2-mujorin e 2021-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 1.3 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 1.3 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë në eksportet drejt Kosovës. Peshën kryesore e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë 1040 biznese nga Kosova që nga hapja e kësaj dege, përfitojnë jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

Grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar Shqipëri – Kosovë të mos ketë asnjë pengesë.

 

/ rtshj.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme