Eksportet rriten me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, ulen me Italinë, më shumë importe nga Kina

Ekonomi | 4 vite më parë

Eksportet e produkteve shqiptare, por edhe importet nga jashtë kanë shënuar rritje gjatë muajit janar 2023. Shqipëria ka rritur eksportët e saj me vendet e rajonit gjatë muajit janar 2023 duke shënuar një rritje prej 20.2 % ose 42 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janar 2022.

Eksportet më të larta Shqipëria i ka pasur me Maqedoninë e Veriut , duke shënuar një rritje prej 207.5 % dhe me Greqinë një rritje me 81.6 %. Ndërsa eksportet shqiptare më të ulëta u shënuan me Italinë.

“Në muajin Janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2022 janë: Maqedonia (207,5 %), Kosova (31,4 %) dhe Greqia (81,6 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (-4,1 %), Gjermania (-17,7) dhe Kina (-24,2 %)”, thuhet në raportin e INSTAT.

Sipas INSTAT rritja e eksporteve u bë kryesisht në grupet ““Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje”.

Eksportet më të pakëta u shënuan “Produkte kimike dhe plastike”.

Gjatë janarit 2023 rritje kanë shënuar edhe importet e mallrave me 5.8 % ose 58 miliardë lekë, karahsuar me janarin 2022. Rritjet më të mëdha të importit janë shënuar me Kinën me 27.4 % dhe më pak me Turqinë dhe Italinë.

“Në muajin Janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Kina (27,4 %), Gjermania (16,2 %) dhe SH.B.A. (67,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2022 janë: Italia (12,3 %), Turqia (4,4 %) dhe Greqia (7,1 %)”, thuhet në raportin e INSTAT.

Importet më të mëdha të marra nga vendet e botës përfshijnë pjesët e këmbimit dhe makinerive, ushqime dhe pije si dhe materiale ndërtimi.

“Gjatë muajit Janar 2023, në rritjen e importeve prej 5,8 %, krahasuar me Janar 2022, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,1 pikë përqindje, “ Produkte kimike dhe plastike” me +1,8 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Prodhime druri dhe letre” me -1,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,0 pikë përqindje. “Tekstile dhe këpucë” me -0,2 pikë përqindje”, thotë INSTAT.

Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë vijojnë të mbeten Italia, Turqia dhe Greqia.

/I.K./rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme