Nuk hiqen përjashtimet tatimore, Ministria e Financave sqaron politikat lehtësuese për turizmin

Ekonomi | 4 vite më parë

Nuk pritet të ketë ndryshim të politikave lehtësuese fiskale, të ndërmarra deri tani nga qeveria për një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, sikundër është turizmi. Ekzekutivi nuk po angazhohet që të heqë përjashtimet tatimore. Sqarimi vjen për RTSH nga zëvendësministrja Vasilika Vjero.

Kërkesa për të minimizuar dhe hequr përjashtimet fiskale, është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe gjendet e pasqyruar edhe në strategjinë afatmesme të të ardhurave.

Qeveria shqiptare ka ndihmuar zhvillimin e turizmit dhe biznesin e vogël e të mesëm në vend, duke realizuar politika të tilla fiskale si, TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve të hotelerisë, në gjithë hotelet, pavarësisht yjeve, përjashtim nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10-vjeçare për “Hotel me 4 dhe 5 yje-Status Special”; TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve në strukturat akomoduese me 5 yje apo edhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 5 yje, Status Special, etj.

Turizmi prodhon aktualisht më shumë se 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka 384 mijë të punësuar direkt dhe indirekt, është sektori që e ka integruar Shqipërinë në ekonominë globale, që shënon rritje vjetore të turistëve të huaj më të lartë se mesatarja europiane, prej 5 %, që është, në ndërkohë, edhe burimi kryesor i futjes së valutës së huaj, me mbi 1,9 miliardë Euro në vitet e fundit.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme