Balluku inspekton nënstacionin elektrik të Vorës: Synimi, të ulim humbjet në rrjet
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet në nënstacionin elektrik të Vorës. Ndërhyrjet në këtë nënstacion kanë përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike për afro 15 mijë banorë të zonës.
Këto investime, theksoi Balluku, kanë sjellë ulje të humbjeve në rrjet, ku synimi i qeverisë është që humbjet në rrjet të shkojnë 6 %.
“Është shumë e rëndësishme gjithashtu nga 42% që e ka pasur kjo zonë nivelin e humbjes, ka rënë në 7% që është pothuajse niveli europian i humbjes. Ky është synimi jonë që ne të arrijmë 6 deri në 4% të nivelit të humbjes teknike, duke qenë se këto janë parimet, kërkesat dhe kriteret e Bashkimit Europian”, tha Balluku.
Lidhur me situatën energjetike në vend, Balluku tha se Shqipëria do të mund të mbyll të gjitha problematikat pas ndërtimit të Skavicës dhe parqeve fotovoltaike në Karavasta e Spitallë që do e kthejnë vendin në eksportues të energjisë.
“Energjia elektrike gjithmonë do të jetë një problem për Republikën e Shqipërisë derisa ne të arrijmë që të prodhojmë ato 4 tera plus që janë në planin tonë strategjik për t’u prodhuar deri në vitin 2030, përmes ndërtimit të Skavicës, përmes ndërtimit dhe operimit të TEC-it të Vlorës, shtimit të kapaciteteve të parqeve fotovoltaike, jo vetëm atë të Karavastasë, por edhe të të Spitallës dhe shumë iniciativa të tjera private të cilat po ndërmerren në këto kohë. E gjithë kjo paketë do të arrijë që ti ofrojë Shqipërisë 4 tera plus, përveç prodhimit që ne kemi sot, duke na bërë kështu një vend eksportues neto dhe jo një vend importues që jemi sot”, tha Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




