Konsorciumi i 8 kompanive shpallet fitues i koncesionit të autostradës Kashar-Lekaj

Bashkimi i përkohshëm i 8 kompanive është shpallur fitues i koncesionit, për ndërtimin e segmentit Kashar – Lekaj, pjesë e aksit rrugor Milot – Fier.
Oferta e shpallur fituese është 320 mln euro, pa TVSH.
Ajo është një vlerë gati 155 mln euro më e ulët se parashikimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministria parashikonte që investimi do shkonte në 474 869 965 euro.
“Fusha”, “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa”, “Ante-Group”, “Klodioda”, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera” janë kompanitë e konsorciumit të shpallur fitues, teksa ishin të vetëm në garë.
Segmenti Kashar – Lekaj, ka një gjatësi prej 26.6 km.
Ai do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërkohë që në total do të ketë një gjatësi prej 33.6 km.
7 km të këtij seksioni janë pjesë e bypassit të Tiranës dhe do të ndërtohen nga kompania që do të kryejë punimet për këtë të fundit e për pasojë nuk janë objekt i koncesionit.
Për 2 segmentet e tjerë, Milot – Thumanë dhe Lekaj – Fier, gara koncesionare e të cilave u hap njëkohësisht me segmentin e mësipërm, fituesi nuk është njoftuar ende.
Segmenti Thumanë – Kashar është pjesë e autostradës Milot – Fier.
Për këtë lot është nënshkruar kontrata koncesionare, ndërsa vlera e investimit nuk është bërë publike dhe nuk është pjesë e kontratës të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Koncesioni i autostradës Milot – Fier do të zgjatë 35 vjet, ndërsa përgjatë gjithë gjatësisë kalimi i automjeteve do të jetë me pagesë.
Të ardhurat e kompanive që do të ndërtojnë rrugën do të sigurohen nga këto pagesa, ndërkohë që ngjashëm me kontratën për segmentin Thumanë – Kashar, për 8 vite buxheti i shtetit do të rimbursojë kompanitë private, në rast të trafikut të munguar.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




