Zëvendësministrja Fino në Podgoricë: Një Ballkan Perëndimor më i qëndrueshëm ndaj kërcënimeve hibride forcon sigurinë evropiane

Politikë | 1 minutë më parë

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë mbi qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor ndaj kërcënimeve hibride dhe rolin e rajonit në arkitekturën evropiane të sigurisë. Paneli u zhvillua në kuadër të konferencës për parandalimin e kërcënimeve hibride, që mbahet në Podgoricë nga 16 deri më 18 nëntor 2026, organizuar nga Qendra Evropiane e Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Në diskutim, Zëvendësministrja Fino theksoi se sulmet kibernetike të vitit 2022 shënuan një pikë kthese për sigurinë kibernetike të Shqipërisë. Ato përshpejtuan reformat institucionale, përafrimin e kuadrit ligjor me direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian dhe forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të shërbimeve publike.

Fino vuri në dukje se përballimi i kërcënimeve hibride kërkon institucione të afta për të reaguar dhe qytetarë të përgatitur për të njohur rreziqet. Në këtë kuadër, ajo përmendi përfshirjen për herë të parë, në vitin 2026, të moduleve të sigurisë kibernetike në kurrikulat shkollore.

Duke folur për rolin e rajonit, Zëvendësministrja Fino nënvizoi se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë evropiane duke shkëmbyer informacion, duke forcuar mekanizmat e paralajmërimit të hershëm dhe duke koordinuar reagimin ndaj kërcënimeve hibride. Ajo riafirmoi angazhimin e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, për të thelluar bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe partnerët euroatlantikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme