Agjenda e opozitës, Bardhi: Reforma zgjedhore dhe tri komisione hetimore

Gazment Bardhi, i cili së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha mblodhën opozitën në një takim për unifikimin e saj, ka bërë të ditur edhe shtyllat në të cilat do të mbështetet ajo kundrejt qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një prononcim për mediet, Bardhi theksoi se rikonceptimi i reformës zgjedhore dhe ngritja e komisioneve hetimore mbi aferat qeveritare do të jenë në fokusin e sesionit të ri parlamentar.
Sipas tij, opozita do të kërkojë komision hetimor për koncesionet në shëndetësi, për dyshimet mbi vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, si dhe për shpërdorimin e fondeve nga funksionarët publikë.
“Së pari, prioritet do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, çuarja përpara e reformës zgjedhore, e cila është bllokuar prej dy viteve. Ajo çshtë vendosur si prioritet i punës së deputetëve të opozitës në Parlament duke rikocenptuar komisionin e reformës zgjedhore dhe afatet që duhet të përmbushë.
Opozita ka denoncuar masakrën zgjedhore të 25 prillit dhe 14 majit. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në interes të Shqipërisë. Komisioni për reformën zgjedhore nuk ka pasur asnjë produkt. Kemi marrë vendim për rikonceptimin e reformës zgjedhore. Çdo ditë përballemi me skandalet e qeverisë.
Kemi vendosur ngritjen e tre komisioneve hetimore, së pari për komisionet hetimore në shëndetësi. Nëse nuk do të kishte funksionuar komisioni hetimor për incineratorët sot nuk do të kishim në hetim aferën e incineratorëve. Prandaj komisioni hetimor që do të kërkojë opozita do të ndihmojë edhe organin e prokurorisë duke paraqitur prova.
Çështja tjetër është skandali me të dhënat dhe dyshimet për ndërhyrje në sistemin TIMS. Dhe për këtë çështje do të kemi komision hetimor. Gjithashtu, kemi parë se si zyrtarët publikë pasurojnë shokët dhe miqtë me fondet publike. Edhe për këtë çështje do të kemi një komision hetimor,” u shpreh Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




