Agjentët imobiliarë, 60% informal, NAREA: Konkurrenca e pandershme, problemi kryesor i tregut

Ekonomi | 29 minuta më parë

Gjashtë nga 10 agjentë të pasurive të paluajtshme konsiderohen plotësisht të paformalizuar në tregun imobiliar. Kjo është një nga gjetjet kryesore të Vrojtimit për vitin 2026 të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme.

“90% e atyre që kanë plotësuar pyetësorin janë të licencuar dhe të formalizuar, ndërkohë që, sipas perceptimit, vetëm 40% e atyre që operojnë në treg janë realisht të formalizuar dhe kemi dy kategori të paformalizuar. Kemi ata të cilët janë të paformalizuar sepse nuk kanë një licencë, por kemi ata të cilët janë të paformalizuar sepse nuk kanë një NIPT. Dhe kategoria që është e treta, që i përfshin të dy, që nuk kanë as licencë, as NIPT”, tha Reinaldo Pipiriu, Drejtor Ekzekutiv NAREA.

Shoqata e Pasurive të Paluajtshme bën thirrje për forcimin e kontrolleve, krijimin e një regjistri publik të ndërmjetësve dhe agjencive të licencuara si dhe një kod etik për profesionin.

Do të ishte më e udhës që monitorimi të standardizohet, të ketë transparencë, ku të gjithë ndërmjetësit të jenë në një regjistër publik, i cili duhet të jetë interaktiv dhe me databaza të tjera shtetërore, dhe më pas të komunikohet standardi mbi të cilin gjithsecili do të monitorohet dhe do të raportojë te një skuadër, e cila është e koordinuar me gjithë institucionet”, tha ai.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me zbatimin e ligjit. 30 % të të anketuarve e konsiderojnë atë realisht të aplikueshëm në praktikë.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Kadastrës, Tatimeve, bankave, noterëve, sektorit të ndërtimit dhe agjencive imobiliare.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme