Aksidenti i shumëfishtë me 9 të plagosur, arrestohet shoferi i autobusit të “Unazës”

Drejtuesi i autobusit të linjës së “Unazës”, 62-vjeçari, i cili u përfshi në një aksident mesditën e së hënës, (27 shkurt) në Tiranë, duke lënë të plagosur nëntë persona dhe duke dëmtuar disa automjete është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Aksidenti i shumëfishtë ndodhi mesditën e së hënës në një zonë të rënduar nga trafiku, por që fatmirësisht nuk shënoi asnjë viktimë.
Autobusi i transportit publik i linjës së Unazës u përplas zinxhir me disa automjete pranë “Urës së Tajvanit” duke lënë të plagosur 9 persona, që ndodhen nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autobusi përplasi fillimisht një “Audi” dhe më pas mori përpara disa automjete të tjera.
Shoferi mbeti edhe vetë i dëmtuar, por pas testit të kryer nga policia në spital, ai rezultoi se nuk ishte nën efektin e alkoolit. Ashtu si ai, edhe drejtuesit e tjerë të makinave që u përfshinë në aksident, nuk rezultuan pozitiv në testin e alkoolit që efektivët e policisë rrugore u bënë.
Përveç 62-vjeçarit, A. Xh, mes të plagosurve janë 2 janë vajza, 35 dhe 31 vjeç dhe 2 shoferë të automjeteve të përplasura.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



