‘Amnistia Penale’- Alibeaj: Votojmë variantin e parë. Jo falje për të dënuarit nga GJKKO, apo që hetohen nga SPAK

Politikë | 3 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, njëkohësisht edhe bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, si dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa gjatë një konference për mediat të hënën, lidhur me çështjen e amnistisë penale, u shprehën se, një pjesë e propozimeve të PD për këtë amnisti penale nuk janë përfshirë në projektin përfundimtar.

Alibeaj nënvizoi edhe një herë se, dy kushtet e PD-së për amnistinë penale janë: e para, mos të përfshihen në amnisti personat e dënuar apo personat që janë nën hetim nga SPAK dhe GJKKO; e dyta, të përfitojnë nga amnistia të gjithë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre.

“Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria në Kuvend. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projektligjin fillestar me institucionet e reja të drejtësisë. Kam marrë një përgjigje pozitive. Pra, projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, për këtë çështje, në këto momente, PD nuk po zhvillon asnjë negociatë me qeverinë.

“Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hetim nga SPAK”, tha ai.

Sipas tij, një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, nuk do të ketë votat e PD-së.

“Nëse ministri me arrogancën e tij thotë se do të sigurojë vota, që do të thotë do të peshkojë vota, kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë, t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së”, nënvizoi Alibeaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme