Anketa e INSTAT: Ulet papunësia në 3 mujorin e dytë të 2022, problem impenjimi i të rinjëve për të punuar

Papunësia në Shqipëri, përgjatë vitit 2022, është ulur krahasimisht me një vit më parë. Në bazë të një ankete të publikuar sot, INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e dytë 2022, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ka qenë 64,4 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 4,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, dhe me 1,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022.
Në tremujorin e dytë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,1 %. Niveli i papunësisë u ul me 1,1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është ulur me 1,0 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e dytë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 72,8 %.
Sipas anketës, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,8 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,8 pikë përqindje.
Po sipas INSTAT, për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 66,1 %, ndërsa për burrat ky tregues është 79,8 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 13,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë.
“Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 5,2 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 2,5 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 55,3 %. Ky tregues është rritur me 3,4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, dhe me 0,1 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 81,2 %.”- thuhet në anketën e INSTAT.
Sipas të dhënave, ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2021 në tremujorin e dytë 2022, është +4.1 %. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,1 % në sektorin e industrisë, me 2,0 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 4,9 % në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,7 %. Punësimi u rrit me 1,6 % në sektorin e industrisë, me 2,3 % në sektorin e bujqësisë, dhe me 1,4 % në sektorin e shërbimeve.
Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 70,9 %, ndërsa për gratë është 58,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 3,1 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 4,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 44,1 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2022, shkalla e punësimit është 74.1 %.
“Në tremujorin e dytë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,1 %. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2021, dhe u ul me 0,2 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,7 % dhe për gratë 11,4 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 1,1 pikë përqindje për burrat dhe është rritur me 0,1 pikë përqindje për gratë. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,2 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e dytë 2022, është rritur me 0,3 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e parë 2022, ky tregues është ulur me 0,5 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,7 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,8 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,1 pikë përqindje. “-thuhet në raport.
Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, 17,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 8,0 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,8 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të dytë 2022, 10,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Struktura e popullsisë ekonomikisht jo-aktive sipas gjinisë dhe statusit
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 68,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,2 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,4% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
Metodologjia
INSTAT raporton se Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Objektivi kryesor i saj është të japë informacion mbi situatën e tregut të punës në Shqipëri i cili përdoret për të hartuar politikat e tregut të punës dhe për vlerësimin e efektshmërisë së tyre, si dhe për të kënaqur nevojat e përdoruesve të statistikave për të dhëna të përditësuara mbi dinamikën e tregut të punës.
Baza e zgjedhjes e përdorur për ATFP bazohet në të dhënat përmbledhëse për zonat e numërimit sipas Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Madhësia e zgjedhjes për ATFP për tremujorin e dytë 2022 është 7916 familje.
Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure me dy hapa, ku në hapin e dytë zgjidhen zonat gjeografike me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së numërimit, dhe në hapin e parë, brenda secilës prej këtyre zonave gjeografike zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks familjesh.
Për ATFP përdoret një strukturë panel e alternuar zgjedhjeje, përmes së cilës një familje e zgjedhur për t’u intervistuar njëherë, mbahet në kampion për pesë tremujorë të njëpasnjëshëm. Intervistat për të njëjtën familje janë planifikuar të kryhen saktësisht pas 13 javëve, kështu intervista e pestë kryhet një vit më pas intervistës së dytë. Në tremujorin e dytë 2022, shkalla e përgjigjes së familjeve ishte 77.1 %.
Mbledhja e të dhënave në terren bëhet përgjatë gjithë muajve të vitit. Në familjet e zgjedhura anketohen nëpërmjet intervistës së drejtpërdrejtë të gjithë pjesëtarët në moshë 15 vjeç e lart. Pyetësori i ATFP është hartuar me asistencën teknike të EUROSTAT dhe ai është në përputhje të plotë me rekomandimet dhe rregulloret e EUROSTAT.
Nga ana metodologjike anketa plotëson kërkesat e EUROSTAT-it si ato që lidhen me përfaqësimin e kampionit, koeficientet e variacionit të treguesve kryesorë, përmbajtjen e pyetësorit, si dhe me procedurat e peshimit të të dhënave. Për procedurën e përgjithësimit të të dhënave të Anketës së Forcave të Punës përdoret popullsia e llogaritur mbi bazën e rezultateve të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011 dhe ngjarjeve demografike (lindjet dhe vdekjet) që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Popullsia në moshë pune është popullsia 15-64 vjeç.
Të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës. Java e referencës është java kalendarike nga e hëna në të diel para datës së intervistës.
Janë konsideruar si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, si dhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye:
(1) leje lindje, sëmundje lëndim apo paaftësi e përkohshme dhe presin të kthehen në punë, në shkollim/trajnim të lidhur direkt me punën aktuale;
(2) të punësuarit me pagë që kanë munguar në punë për arsye të tjera nga të mësipërmet për të cilët (a) kohëzgjatja e mungesës është tre muaj ose më pak dhe personi nuk është punëtor stinor ose (b) personi merr 50 për qind ose më shumë të pagës;
(3) të vetë-punësuarit që kanë ndërmend të rikthehen në biznesin/fermën/praktikën profesionale;
(4) punëtoret pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak. Personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetë-konsum, janë konsideruar të punësuar.
Të papunë konsiderohen personat që ishin:
- a) pa punë gjatë javës së referencës (as nuk kishin një punë dhe as kryen ndonjë punë (për një orë ose më shumë) kundrejt një page ose përfitimi;
- b) aktualisht të gatshëm për të punuar (brenda dy javëve që pasojnë javën e referencës);
- c) duke kërkuar punë në mënyrë aktive (gjatë periudhës katër javore që përfundon me javën e referencës kishin ndërmarrë hapa specifike për të kërkuar punë me pagë ose për të ngritur një biznes të vetin) ose kishin gjetur një punë që do ta fillonin së shpejti (brenda një periudhe prej të shumtën tre muaj).
Si hapa specifikë për të kërkuar punë konsiderohen:
- kontakt me një zyrë publike punësimi për të gjetur punë
- kontakt me një agjenci private punësimi për të gjetur punë
- aplikim direkt pranë ndonjë punëdhënësi
- kërkuar miqve/shokëve, të afërmve, sindikatave etj,
- vendosur ose përgjigjur lajmërimeve në gazeta
- studiuar lajmërimet në gazeta
- marrë pjesë në një test apo intervistë
- kërkuar për tokë, godinë ose pajisje
- aplikuar për leje, licenca ose burime financiare Forca e Punës përfshin personat e punësuar dhe të papunë.
Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (pra, nxënës/studentë, shtëpiakë, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar). Shkalla e punësimit është raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.
Shkalla e papunësisë është raporti i të papunëve kundrejt forcës së punës. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës kundrejt popullsisë në moshë pune.
Notë shpjeguese mbi treguesit kryesorë të tregut të punës
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës dhe shkalla punësimit llogariten për popullsinë e moshës 15 deri në 64 vjeç. Ndërsa shkalla e papunësisë llogaritet për popullsinë ekonomikisht aktive (ndryshe forca e punës) të moshës 15 vjeç e lart.
Shkallët e punësimit dhe të pjesëmarrjes në forcat e punës të llogaritura mbi popullsinë 15 vjeç e lart ndikohen nga përfshirja e personave në pension në emërues dhe kështu janë më pak kuptimplotë sesa shkallët e llogaritura për popullsinë e moshës 15-64 vjeç. Ndërsa, në llogaritjen e shkallës së papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart, në emërues kemi popullsinë ekonomikisht aktive, e cila përfshin personat e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune dhe të aftë për punë, dhe si rrjedhojë ky tregues nuk ndikohet nga popullsia mbi moshën e pensionit.
Cilësia e statistikave të tregut të punës Treguesit kryesorë të tregut të punës vlerësohen nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës. Anketa është bazuar në një zgjedhje probabilitare prej 7916 njësish ekonomike familjare. /a.meta
TABELAT







/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




