Anulimi i zgjedhjeve parlamentare në Kirgistan, Meta: Qytetarët meritojnë zgjedhje të lira e demokratike!

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka përshëndetur sot vendimin për anulimin e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara së fundi në Kirgistan, ndërsa e aktualizon situatën politike atje me zhvillimet në Shqipëri.
Përmes një statusi në Facebook ai vlerëson popullin kirgiz për guximin e treguar në denoncimin e parregullsive masive, veçanërisht atë të blerjes së votave nga forca pranë pushtetit, duke i mohuar të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike. “Pas protestave popullore në Kirgistan, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara së fundi në Kirgistan dhe vendosi përsëritjen e tyre në një kohë të afërt. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes popullin kirgiz për guximin e treguar në denoncimin e parregullsive masive, veçanërisht atë të blerjes së votave nga forca pranë pushtetit, si dhe në përballjen me cënimin e rëndë që ju bënë lirive e të drejtave themelore të tij, duke i mohuar të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike” shprehet zoti Meta.
“Qytetarët e Kirgistanit, si qytetarët e të gjitha vendeve të hapësirës së OSBE-së, meritojnë zgjedhje të lira e demokratike!” shkruan presidenti shqiptar. Deklaratat e tij vijnë ndërsa zoti Meta ka paralajmëruar protesta pas miratimit në parlamentin shqiptar të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ai ka akuzuar kryeministrin socialist Edi Rama dhe përkrahësit e tij se po punojnë kundër integrimit të vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




