Armando Broja, gol në fitoren ndaj Totenhem

Angli | 5 vite më parë

Vazhdon të jetë i papërmbajtshëm futbollisti shqiptar i Sauthemptonit, Armando Broja, i cili të mërkurën në mbrëmje ka gjetur sërish golin në nivelin më të lartë të kampionatit anglez të futbollit, në Premier Ligë. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka lënë pas dëmtimin që pësoi në Kupën e Anglisë (FA Cup) dhe është kthyer me gol në kampionatin anglez, duke ndihmuar Sauthempton të fitonte 3-2 një ndeshje të jashtëzakonshme në fushë të huaj ndaj Totenhemit.

Broja, i cili pësoi dëmtim në Kupën FA dhe mungoi në stërvitje gjatë kësaj jave, e nisi ndeshjen me vrull dhe ndonëse Totenhemi shënoi i pari, arrit të barazonte shifrat me një devijim instinktiv në zonë. Më pas, sulmuesi shqiptar kishte mundësi të tjera për të shënuar, në një sfidë ku skuadra e tij vuri në vështirësi të mëdha skuadrën e Kontes.

Vendasit arritën të shënonin golin e avantazhit me Son mes protestave, pasi aksioni nisi me një faull të dukshëm ndaj Brojës. Por kjo nuk dëshpëroi ekipin e Sauthempton, që rrezikoi fillimisht me Brojën t’i afrohej barazimit, e më pas përmbysi sfidën me golat e Eljonusi dhe Adams brenda dy minutash, për të siguruar një fitore të jashtëzakonshme 3-2 në Londër.

Kështu, ekipi i largohet edhe më shumë zonës së ftohtë të renditjes, ndërsa Broja regjistron një tjetër gol që e kthen në vëmendjen e opinionit sportiv në Angli, aty ku shihet si një nga talentet më premtues.

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme