Aromë Lunxhërie/ Mimoza Duka, gruaja që punon mes natyrës dhe traditës

Sociale | 3 vite më parë

Pasurinë natyrore të Lunxhërisë, duket se vendasit kanë ditur ta shfrytëzojnë në mënyrën më të bukur për të jetuar.

Njëra prej tyre është Mimoza Duka, 57-vjeçarja duarartë, e cila për Radio Televizionin Shqiptar rrëfen se natyrën e ka kthyer në aleate, për sjellë në treg prodhime tërësisht BIO sipas një recete të trashëguar ndër breza.

“Unë vij nga zona e Lunxhërisë nga Gjirokastra. Zonë shumë e pasur, me një natyrë shumë të bukur. Atje rriten të gjitha frutat dhe erzat me të cilat unë bëj likernat, glikot dhe çajrat. Një frut, unë e kthej në disa produkte, çka do të thotë se është një risi shumë  e mirë që ta mësojë dhe brezi i ri. Unë këtë e kam trashëgimi nga nëna ime dhe që tashmë e bëj më shumë kënaqësi dhe pasion. Trahananë e bëjmë vetëm me kos, në magje druri më recetën e vjetër,” thotë Mimoza Duka.

Puna e përditshme e Mimozës shtrihet mes malit dhe qytetit, një lodhje që nuk ka zbehur aspak pasionin e saj.

“Në etiketat e mija shkruhet “Made in Mimoza” ( e prodhuar nga Mimoza) sepse çdo gjë kalon në duart e mija. Të gjitha frutat dhe bimët i mbledh vetë në mal, pastaj i përpunoj me shumë kënaqësi duke pasur një mësues të shkëlqyer, nënën time që tani është në moshë të madhe, e cila më rri në kokë për çdo gjë. Turistët e huaj në Gjirokastër i kanë blerë shumë pasi janë të gjitha prodhime BIO. Unë jetoj me këtë gjë, edhe pse rreziqet janë shumë të mëdha gjatë mbledhjes së bimëve në mal, por kënaqësinë e kam shumë të madhe pasi natyra më tërheq për çdo gjë atje. Bimët e egra që në I mbledhim janë më shumë se bimë, janë ilaçe,” thotë Mimoza Duka.

Përtej fytyrës së qeshur, Mimoza e ka dhe një merak: vazhdimin e traditës tek më të rinjtë.  Dhe për ta përcjellë këtë trashëgimi, ajo nuk resht së promovuari tek vajzat e reja, kulinarinë e pasur tradicionale të Lunxhërisë.

Gazetare: J. Sagajeva

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme