Artizanet e Vithkuqit / Gratë vithkuqare, mjeshtre të punimeve me grep e shtiza

Sociale | 3 vite më parë

Fshati i Vithkuqit është ndër më të bukurit në qarkun e Korçës, me vlera të mëdha kulturore e historike dhe me njerëz mikpritës të cilët ende ruajnë me fanatizëm zakonet dhe traditat e zonës. Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, velenca, etj. Gjithashtu ato janë mjeshtre edhe të punimeve me grep e shtiza.

“Kemi punime me dorë që janë të traditës sidomos punime me vegël, qilima, çorga, punime me dore me grep”, thotë ish mësuesja Evelina Kurtiqi.

Të gjitha punimet e leshit këtu kanë një veçanti, pasi ngjyerja e fijes bëhet me lëkurën e pemës së arrës, duke bërë të mundur që ngjyra të rezistojë me vite, ndoshta edhe me shekuj.

“I thajmë dhe i ngjyejmë me lëngun e tyre kur të na duhen, edhe çorapet e leshta, dimri është i gjatë”, thotë Evelina.

Përveç punimeve të dorës, gratë e Vithkuqit kanë traditë edhe përgatitjen e zahireve të dimrit, duke qenë se dimri këtu është i gjatë dhe i ashpër.

“Përgatitim trahananë, rosnica, petka, llojet e reçelrave, komposto”, thotë Evelina Kurtiqi.

Gratë e Vithkuqit përpiqen që traditën e gatimeve dhe të punimeve me dorë ta trashëgojnë edhe tek vajzat e reja.

“Vazhdojnë si traditat punimet artistike, punimet me dorë, gatimet vazhdojnë edhe tek nuset dhe tek fëmijët”, thotë ish mësuesja.

Vithkuqi dikur ka qenë një qendër banimi tepër e zhvilluar, me një nivel jetese për kohën e vet për tu admiruar, me shumë lagje, shkolla, kisha e manastire. Sot është një ndër fshatrat turistikë më të vizituar në rajonin juglindor.

Gazetare E. Fili

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme