Ashpërsohen protestat në Serbi, protestuesit tentojnë hyrjen me forcë në Fakultetin e Filozofisë, përplasen me policinë

Rajon | 1 vit më parë

Ashpërsohen protestat në Serbi. Mbrëmjen e djeshme policia është përplasur me protestuesit, pasi këta të fundit tentuan hyrjen me forcë në ambientet e fakultetit të Filozofisë në Novi Sad.

Pavarësisht të gjithë paralajmërimeve të bëra më parë nga Policia, protestuesit kanë tentuar hyrjen brenda fakulteti,  por kanë hasur me kordonin e policisë, duke shkuar në përplasje fizike.

Protestuesit kanë hedhur vezë, lëndë piroteknike e objekte të tjera në drejtim të fakultetit, duke kundërshtuar kështu vendimin e udhëheqjes së fakultetit për të mos lejuar studentët të hyjnë në ndërtesë duke nisur prej ditës së djeshme.

Ngjarjet vijnë në vazhdën e zemërimit qytetar pas shembjes tragjike të një tende betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë nga autoritetet për menaxhimin e ngjarjes dhe pasojave të saj.

Në Beograd, protestuesit u mblodhën në dy pika kryesore: në Beogradin e Ri dhe pranë Monumentit të Vukut në qendër të qytetit. Një grup u bashkua me qytetarë të komunës së Zemunit dhe marshoi drejt Urës së Brankos, që lidh Beogradin e Ri me pjesën e vjetër të qytetit, për t’u kthyer më pas në Zemun dhe për të përfunduar protestën.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Serbisë, ndërsa tensionet mes qytetarëve dhe qeverisë pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme