Atentat në Tiranë/ Plagoset Zamir Kalemi, makina e tij qëllohet me breshëri plumbash

Zamir Kalemi, vëllai i Andrea Kalimit dhe kushëriri i Aleksandër Sadikajt i shpëtoi mbrëmjen e së enjtes një atentati, që u regjistrua para pak mesnate te mbikalimi i Selitës në kryeqytet.
Ngjarja u raportua nga blutë e kryeqytetit, të cilat thanë zyrtarisht se pak minuta pas atentatit u gjet një automjet që po digjej në Bërzhitë dhe dyshohet se u përket autorëve të plagosjes.
Autorët që tentuan të eliminojnë Zamir Kalemin, ka dyshime të forta se e kanë ndjekur objektivin për disa orë me radhë, gjë që faktohet edhe nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë që grupi hetimor ka marre në zonën ku u regjistrua atentati. Sipas të dhënave të policisë në vendin e ngjarjes nuk ka kamera sigurie, çka e vështirëson punën për të zbardhur atentatin.
Në vendngjarje ekspertët e kriminalistikës gjetën 13 gëzhoja automatiku, ndërkohë arma u gjet e shkrumbuar në automjetin e djegur.
Të dhënat e grupit hetimor bëjnë të ditur, se autorët qe e dogjën mjetin në Bërzhitë, kanë përdorur targa të vjedhura për kryerjen e atentatit, të denoncuara të humbura në Tiranë.
Në drejtim të automjetit tip “Smart”, me të cilin po lëvizte Kalemi është qëlluar nga një distancë e shkurtër, ndërsa automjeti më pas është përplasur me trafikndarësen.
Një nga pistat e hetimit të atentatit është vijimi i sagës së vrasjeve të vitit 2022 ndaj Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës.
Vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022-it, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë në qershor të po atij viti ishte kushëriri i vëllezërve Kalemi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



