Australia po përballet me një sfidë të paparë spiunazhi

Kreu i agjencisë vendase të shërbimit sekret australian ASIO ka thënë se vendi po sheh një nivel “të paprecedentë” të spiunazhit dhe ndërhyrjes së huaj, shkruan ATSH.
Në vlerësimin e tij vjetor të kërcënimit, Drejtori i Përgjithshëm i ASIO, Mike Burgess paralajmëroi se “vende të shumta” po përdornin spiunazhin për të çuar përpara interesat e tyre në Australi.
“Disa nga qeveritë që bëjnë këto gjëra konsiderohen miq. Të tjerat janë regjime autoritare me vlera shumë të ndryshme nga tonat,” tha ai.
“Shumëllojshmëria e qeverive që kryejnë spiunazh do t’ju befasojë”, tha Burgess.
Duke folur në selinë e ASIO në Canberra të martën në mbrëmje, kreu i agjencisë tha se Australia “po përballet me një sfidë të paprecedentë nga spiunazhi dhe ndërhyrja e huaj dhe nuk jam i bindur, si komb, ne e vlerësojmë plotësisht dëmin që ajo shkakton në sigurinë dhe demokracinë e Australisë, sovranitetin, ekonominë dhe struktura sociale”.
“Më shumë australianë janë në shënjestër për spiunazh dhe ndërhyrje të huaja se në çdo kohë në historinë e Australisë – më shumë shërbime të inteligjencës së huaj armiqësore, më shumë spiunë, më shumë shënjestrim, më shumë dëme, më shumë hetime ASIO, më shumë ndërprerje të ASIO”, tha Burgess.
Kreu i agjencisë tha se figura të drejtësisë, gazetarë dhe veteranë ushtarakë ishin në mesin e atyre që ishin në shënjestër nga shërbimet e huaja sekrete.
Burgess paralajmëroi gjithashtu se, pavarësisht uljes së nivelit të kërcënimit nga terrorizmi në “të mundshme” vitin e kaluar, rreziku nuk ishte “shuar”.
Megjithatë, ai theksoi se “spiunazhi dhe ndërhyrja e huaj tani janë shqetësimi ynë kryesor i sigurisë”.
/ Sipas ATSH /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




