Avioni i mallrave del nga pista dhe përplaset me automjetin, dy viktima në aeroportin e Hong-Kongut

Azi | 12 muaj më parë

Dalja e një avioni për transport mallrash nga pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Hong-Kongut u mori jetën të hënën dy personave.

Avioni i linjës “Emirates” po udhëtonte nga Dubai kur rreth orës 03:50 të mëngjesit me orën lokale, ai devijoi nga pista dhe u përplas më një automjet patrullimi që i përkiste aeroportit.

Dy pasagjerët e mjetit gjetën vdekjen, ndërsa katër pjesëtarët të ekuipazhit të avionit i mbijetuan përplasjes. Ky konsiderohet një ndër incidentet më tragjike të viteve të fundit në Hong-Kong.

Autoritetet aeroportuale thanë se kishin dhënë udhëzime të sakta për lëvizjen e avionit dhe pista është e pajisur me shenja për t’i drejtuar ata në destinacionin e përcaktuar. Sipas tyre, makina patrulluese gjatë kohës së incidentit ndodhej në një rrugë larg perimetrit të pistës, “në distancë sigurie nga pista”.

Raportohet se avioni ndërroi drejtimin përtej pistës, u përplas me gardhin rrethues dhe më tej goditi automjetin, duke e shtyrë drejt detit, deklaroi drejtuesi ekzekutiv i operacioneve aeroportuale të Hong-Kongut, Steven Yiu.

“Normalisht avioni nuk supozohet që të kthehet nga deti,” tha Yiu në një konferencë për shtyp disa orë pas incidentit, duke sqaruar se avioni nuk kishte sinjalizuar probleme gjatë uljes në pistë.

Trupat e dy viktimave u gjetën në det pas kërkimeve nga palombarët. Ata ishin të moshave 30 dhe 41 vjeç dhe punonin prej 12 vitesh në atë pozicion.

Ndërkohë, si pasojë e këtij aksidenti, avioni u nda më dysh, ndërsa njëra pjesë u zhyt nën ujë. Policia tha se nuk përjashtohet hetimi i rastit si një akt kriminal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme