Balla: Gati për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raportet e OSBE/ODIHR-it.
Në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Balla tha se, “vendimmarrja për Komisionin e Posaçëm për reformën zgjedhore, në planin e këndvështrimeve apo të shprehjes së vullnetit është dakordësi e plotë për t’u ngritur. Një dokument parlamentar, sikurse është pr/vendimi i Kuvendit për ngritjen e këtij Komisioni, ku do të arsyetohen qoftë objekti i punës, qoftë përbërja, apo çështje të tjera të formësimit janë në punë e sipër. 95% e punës është bërë deri tani. Jemi duke saktësuar edhe një element të fundit, që ka të bëjë me objektin e punës së Komisionit dhe unë mendoj që këtë çështje do ta zgjidhim në mos brenda kësaj të enjteje, në një nga seancat pasardhëse të Kuvendit të Shqipërisë”.
“Ajo që për mua sot ka rëndësi është që në fund të fundit jemi duke duke diskutuar këtë çështje, dhe kemi shprehur vullnetin e plotë për ta ngritur këtë Komision të Posaçëm dhe koha në dispozicion është e mjaftueshme që ky Komision të ngrihet”, theksoi Balla.
I pyetur se cili është problemi me objektin e Komisionit, Balla tha se “nuk dua të hyj në detaje, sepse sa herë që këto çështje bëhen publike thjesht dhe vetëm na vonojnë kohën e zgjidhjes së çështjes. Ne nuk duhet të paragjykojmë punën e Komisionit. Kështu që në këtë këndvështrim mendoj që jemi në komunikim”.
“Mendimi im është që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raportet e OSBE/ODIHR-it. Duhet ta pranojmë që kemi që nga 2015, mos edhe më tej që nuk i kemi adresuar të gjitha rekomandimet që vijnë nga raportet e ODIHR-it dhe ky duhet të jetë objekti i punës. Dhe ne nuk duhet të paragjykojmë punën e Komisionit. Nëse Komisioni do të vijë me propozime të tjera ato do të shqyrtohen brenda Komisionit. Ajo që PS në shumicë garanton është që brenda Komisionit të Posaçëm ka barazi mes anëtarëve dhe të drejtë vetoje mes dy partive më të mëdha të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është elementi. Unë besoj që ne do ta gjejmë zgjidhjen, në këndvështrimin ose në themelin e hedhur prej shumë vitesh kur ka ngritur Komisione të Posaçme të reformës Zgjedhore Kuvendi”, u shpreh Balla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



