Balla: Masë disiplinore për bllokuesit e foltores, deputetët të kenë kohë të përgatiten për mocionin për McGonigal

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një prononcim për mediat ka paralajmëruar masë disiplinore për deputetët e opozitës të cilët bllokuan foltoren e Kuvendit. Pengimi i zhvillimit të seancave normale të Parlamentit dhe bllokimi i foltores, sipas Ballës, është sjellje e turpshme.
“Do të ketë masë disiplinore për 7 bllokuesit e punimeve të Kuvendit. Deputetët të marrin kohën për t’u përgatitur me mocionin për debat. Komisioni, sekretariati mund ta dyfishojë atë masë. Nuk besoj se është koha për të kaluar në dyfishim të masave, me shpresën se do ketë ndërgjegjësim nga ana e deputetëve të foltores. Në seancën e datës 23 të kemi seancë normale dhe deputetët të marrin kohë për mocionin.
Ka patur 7 deputetë të përjashtuar në një seancë. Është zaptuar foltorja. Ne socialistët jemi të hapur të dëgjojmë dhe konsultohemi. Çdo qytetar që na ndjek e di fare mirë se rregullat zbatohen. Mocioni do fillojë më 2 mars do vazhdojë dhe në 3. Për raste të tilla caktohet një datë dhe një orë brenda 30 ditëve. Ka qenë e pamundur të zhvillohej këtë javë për shkak të një vizite të kryeministrit në dy vende mike për të çuar përpara projekte të mëdha, marrëveshje bilaterale. Opozita ka të drejtë të kërkojë, por jo të imponojë“, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se Kuvendi do të vijojë të bllokohet përsa kohë kreu demokrat i Rithemelimit të vijojë presionin ndaj drejtësisë.
“Më 16 janar kur filloi sesioni i ri, as McGonigal nuk ishte në axhendën politike të opozitës përsëri seancat u bllokuan dhe do bllokohen deri kur Berisha ti bëjë presion drejtësisë me këtë qasje apo protesta, për të mos shkuar më pas te revolucioni i madh.
Sa i përket vendimmarrjeve të grupit parlamentar, në cilësinë e kryetarit kam bërë një paraqitje për mbarëvajtjen e seancës së fundit dhe me gjithë përpjekjet përsëri seanca e fundit ishte një seancë ku çdo deputet pati mundësin të fliste për ligjet që kishim dhe fakti që shumica parlamentare, tregoi edhe kur bëhet fjalë për një votim të fshehtë grupi i PS i kishte votat në mbështetje të kryetares së kuvendit duke hedhur poshtë mocionin për shkarkimin e kryetares së kuvendit. Raporti ynë është shumë i qartë, të gjithë veprimet e kryetares së kuvendit për të penguar opozitën ishin të bazuara në rregullore”, tha Balla.
Pyetur mbi ngritjen e një komisionin të posaçëm për implementimin e vendimeve të Kushtetueses lidhur me komisionet hetimore dhe më pas ngritjen e komisionit hetimor për çështjen McGonigal, Balla deklaroi se do të shqyrtohet pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ju kam informuar se Kuvendi është vënë përpara një turpi për të perifrazuar atë që kam thënë para jush disa javë më parë, sepse na është vënë përpara një kërkesë deputetësh me firma të falsifikuara. U kërkova opozitës ta tërhiqnin kërkesën se falsifikimi nuk duhet toleruar. Konferenca e Kryetarëve ka marrë vendim me votën kundër të Alibeajt që kjo çështje të mos shqyrtohej nga konferenca e kryetarëve, sepse në një seancë tjetër, Kuvendi i Shqipërisë më 23 janar vendosi ngritjen e komisionit të posaçëm për komisionet parlamentare.
Kushtetuta e ka parashikuar që në ’98 instrumentin e komisionin hetimor parlamentar. Nga 2002-2022 janë 6 vendime të Kushtetueses, i fundmi është me shumë rëndësi, sepse i kërkon Kuvendit të ndryshojë vendimet e Kushtetueses. Në këtë kuadër, ne kemi ngritur një komision. Grupi i PS ka depozituar emrat e anëtarëve të komisionit dhe mirëpresim që grupi parlamentar i PD, aleanca për ndryshim dhe grupi që drejtohet nga zonja Doda të sjellë emrat që të transpozohen vendimet. Në momentin që do shkojmë për ta shqyrtuar një propozim të tillë, do shohim kërkesën. Të njëjtin qëndrim kam mbajtur dhe për një komision tjetër hetimor parlamentar, një për fluturimet. Kur të transpozohen vendimet e Kushtetuese do e bëjmë një shqyrtim në thelb, deri në atë moment do respektojmë vendimet Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Balla.
Seanca plenare e 16 shkurtit, u shoqërua me tensione mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, kjo për shkak të mocionit të kërkuar për çështjen McGonigal dhe kërkesës së PD për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla. Opozita bllokoi foltoren e Kuvendit, teksa i frynte bilbilave, veprim i cili solli përjashtimin e deputetit Edmond Spaho.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




